Gjejlone Haradinaj, gruaja e Nasim Haradinaj, ka folur ekskluzivisht për Gazetën Express në prag të nisjes së seancës në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ku pritet të shpallet vendimi për ta. Gruaja e Haradinajt nuk pret drejtësi sot nga Gjykata Speciale. Ajo thotë se do të befasohej nëse do të ketë aktgjykim lirues për ish-udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), pavarësisht se beson në pafajësinë e bashkëshortit të saj.
Gjelone Haradinaj thotë se në Gjykatën Speciale vetëm drejtësi nuk ka.
“Unë nuk pres drejtësi të them të drejtën, nëse lirohet Nasimi sot do të befasohesha ani se është i pafajshëm. Atje gjithçka ka vetëm drejtësi nuk ka. Po të kishte drejtësi Nasimi nuk do të ishte asnjë ditë aty. Edhe nëse lirohet 20 muaj të jetës së tij ai i ka humbur, nuk kthehen me asgjë. Do të jetë një dënim i padrejtë. Nuk pres drejtësi nga ata”, u shpreh Gjejlone Haradinaj.
Arrestimin e Haradinajt ajo e quan kidnapim duke theksuar se i njëjti po qëndron në paraburgim në Hagë që 20 muaj, gjithashtu rithekson se nuk pret drejtësi sot.
“Unë nuk pres drejtësi prej atyre të cilët e kidnapuan ditën e parë pa paralajmërim dhe janë duke e mbajtur tash e 20 muaj”.
E pyetur se cilat janë pritjet e Nasim Haradinajt sot ajo tha “Nuk pret asgjë. Ai është më i qetë se asnjëherë, kur flas në telefon me të vetëm qesh. I intereson vetëm çështja e atdheut”.
Gjatë bisedës për Gazetën Express, Gjejlone Haradinaj, rrëfeu edhe periudhën e vështirë në mungesë të bashkëshortit që nga koha kur ai po qëndon në paraburgim në Hagë të Holandës.
“Ka qenë e mundimshme për të gjitha rrethanat që kanë ndodh, sëmundja ime, sëmundja e vëllait të Nasimit, Agronit, këtë e ka bërë edhe më të rëndë burgosja e padrejtë e bashkëshortit tim. Edhe dhimtë e mija i kam harruar, kur e kam mendu Nasimin i cili po qëndron padrejtësisht qe 20 muaj në Hagë. Edhe pse Nasimi qëndron shumë i fortë, aspak nuk e ka dert vetën, vetëm çështjen e popullit, dhe kjo na bën me i përballu të gjitha padrejtësisë”, tha më tej Haradinaj.
Gjelone Haradinaj bashkë me familjen e saj sot nuk ndodhen në Hagë pasi thotë se ashtu ka kërkuar Nasim Haradinaj.
“Nasimi, na ka kërku që ne mos me shku. Por, nëse Gjykata Vendos jo drejt ne do të shkojmë për ditëlindjen e tij atje që e ka më 21 maj”, tha më tutje ajo për Gazetën Express.
Meqenëse gruaja e Haradinajt ishte diagostifikuar me një sëmundje të rëndë, ajo thotë se edhe nga largësia Haradinaj ka qenë forca e saj.
“Pavarësisht vështirësive që kam pasur ai ka qenë shtylla ime, forca ime, që më ka bërë që unë ta tejkaloj betejën me sëmundje më lehtë…”, përfundoi ajo.
Sot do të shpallet aktgjykimi në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Shpallja e aktgjykimit nis në ora 10:00.
Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar ëë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë.
Të akuzuarit vazhdojnë të gjenden nën masën e paraburgimin në selinë e paraburgimit në Hagë dhe tanimë janë në pritje të shqiptimit të vendimit të gjykatës.