Flamurtari dhe Prishtina sot takohen për herë të 39-të pas luftës.
Dy rivalët e vetëm të mbetur të kryeqendrës, do të ndeshen në kuadër të javës së 18-të të Ipko Superligës.
Ndeshja zhvillohet në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri”. Kjo nuk është hera e parë kur Flamurtari ndeshjen e saj si vendase me Prishtinën e zhvendos në stadiumin e qytetit. Andaj edhe shikueshmëria pritet të jetë shumë më e madhe se sa që do të grumbullonte stadiumi me kushte jo të mira në “Xhemajl Ibishi”.
Dy skuadrat me rivalitet të madh gjatë viteve 90-ta, po tentojnë, sidomos Flamurtari, të rikthej famën e dikurshme të konkurrencës ndaj klubit më të madh në vend, Prishtinës.
Flamurtari nuk ka fituar kundër Prishtinës nga viti 2009-të, pra plot 10-vite kuqezinjtë janë pa fitore ndaj bardhekaltërve, megjithëse nga 38 përballje, Flamurtari ka fituar 6 sosh, përkundër 10 barazimeve dhe 22 fitoreve të Prishtinës.
Në ndeshjen e parë të këtij edicioni, përballja befasueshëm ishte mbyllur baras, 1:1. Ishte Prishtina që kishte shënuar e para me Armend Thaqin (8’) dhe duke qëlluar shtyllën e lëshuar një mori rastesh në pjesën e parë. Por, Flamurtari nuk ishte dorëzuar, ishte paraqitur më mirë në pjesën e dytë dhe krejt në fund të ndeshjes kishte barazuar (Getoar Dragusha 87’) duke rrëmbyer një pikë të madhe.