Barcelona sot do të nis një epokë të re.
Gjatë kësaj jave janë bërë ndryshime të mëdha te skuadra e Barcelonës, ku tashmë timonin e skuadrës e ka në dorë një tjetër emër.
Ernesto Valverde dhe Barca kanë shkëputur bashkëpunimin e ndërsjell, me Quique Setien që tashmë është në krye të stolit katalan.
Sonte, me fillim nga ora 21:00 do të nis edhe ‘epoka Setien’, në Barcelonë, shkruan lajmi.net.
Kampionët e La Liga do të jenë nikoqirë të skuadrës së Granada, ku me fillim nga ora 21:00, në ‘Camp Nou’, luajnë ndeshjen e parë të drejtuar nga Quique Setien.
Para këtij takimi, dilemat janë të mëdha për mënyrën se si Setien do të rreshtohet. Por, një gjë është e sigurt. Qysh sonte pritet të shihet një stil loje i Barcelonës së vjetër, me presing të lartë dhe qarkullim të shpejtë të topit – arsyeja edhe pse Quique u emërua në krye të stolit.
Si mundet Setien ta rreshtojë skuadrën e tij, në ndeshjen e parë?
Gjatë karrierës së tij si trajner, Quique Setien ka përdorur tri sisteme të ndryshme loje: 3-4-3, 4-1-4-1, dhe 4-3-3. Sigurisht, ky i fundit është sistemi që më së shumti i përshtatet Barcelonës, dhe ky pritet të përdoret edhe sonte.
Sipas raportimeve të mbrëmshme të ‘Mundo Deportivo’, Marc Andre ter – Stegen do të jetë gati për ndeshjen e sotme. Prandaj, nëse një gjë e tillë qëndron, dilemat për portën shuhen. Ter Stegen pritet të jetë startuesi.
Në fazën e mbrojtjes, dilemat më të mëdha qëndrojnë në krahun e djathtë, por Setien me shumë gjasë do të zgjedh Sergi Roberton, i cili pritet të kompletojë katërshen me Gerard Pique, Clement Lenglet dhe Jordi Alba.
Befasia e këndshme pritet të vijë në mesfushë, ku Riqui Puig mund të ketë minutat e tij, si pasojë e mungesave të Frenkie de Jong e Arthur Melo. Busquets dhe Rakitic mund të kompletojnë treshen e mesfushës, por në kalkulim është edhe Arturo Vidal.
Mungesa më e madhe e Barcës qëndron në fazën e sulmit, ku Lionel Messi dhe Antoine Griezmann janë dy të padiskutueshmit për ndeshjen e sotme. Partneri i tyre i përhershëm, Luis Suarez, i është nënshtruar një operacioni në gju, dhe pritet të mungojë deri në fund të sezonit. Mediet katalane bëjnë të ditur se emri favorit për të zënë vendin e Suarez sonte, është ai i të riut Ansu Fati.
Pra, Setien pritet të vendoset me një 4-3-3 (Ter Stegen; Roberto, Pique, Lenglet, Alba; Busquets, Puig, Rakitic; Fati, Griezmann, Messi), me skuadrën që aplikon një presing të lartë, dhe lojë të shpejtë, me pasime të shkurta e të shpejta. Bordi drejtues i skuadrës dhe tifozët në ‘Camp Nou’ janë të etur për një stil loje të tillë, i cili sikur ishte zbehur me Valverde, shkruan lajmi.net.
Sonte, me Setien nis një epokë e re. Qysh sonte pritet të shihet një ndërrim fytyre i Barcelonës së dy viteve të fundit. Nga ora 21:00, Granada do të jetë testuesja e parë për Setien. Tri pikët janë synimi kryesor i katalanëve, si dhe dominimi total i kundërshtarit.