Moszbatimi i një marrëveshjeje të nënshkruar vitin e kaluar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) e ka shtyrë këtë sindikatë të thërrasë të hënën grevë njëditëshe në arsim.
Sipas Sindikatës, greva do të mbahet në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në 5 universitete publike që janë pjesë e SBASHK-ut, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo është hera e tretë brenda pak javësh që me kërkesë të kësaj sindikate në institucionet arsimore mbahen greva. Fillimisht më 14 shkurt ishte mbajtur grevë njëorëshe, kurse më 20 shkurt grevë dyorëshe.
SBASHK-u ka kërcënuar se nëse pas grevës njëditore nuk reflekton Qeveria për t’i realizuar kërkesat e tyre, më 13 prill do të futen në grevë të përgjithshme.
Sindikata po kërkon realizimin e marrëveshjes, të cilën e kanë nënshkruar vitin e kaluar me koalicionin PDK-AAK-Nisma. Pika kryesore e kësaj marrëveshjeje zbatimin e së cilës po e kërkon Sindikata është miratimi i Projektligjit për mësimdhënësit e viteve ‘90. Megjithatë, Qeveria për vitin 2018 nuk ka paraparë buxhet për këtë projektligj..