Nën organizimin e CEO – Congress & Event Organization, më 19 dhe 20 Prill në sallën “1 Tetori”, organizohen dy panaire, ai i Edukimit si dhe Panairi i Turizmit dhe Sportit.
Panairi i Edukimit do të mirëpresë një numër të madh të institucioneve të arsimit në Kosovë, kurseve të ndryshme si dhe qendrave të trajnimit. E veçantë e këtij panairi është se pjesë e tij përveç institucioneve nga vendi do të jenë ekspozues edhe universitete të rëndësishme nga Gjermania, Holanda, Finlanda, Sllovenia, Letonia, si dhe universitete nga vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Maqedonia. Krahas risive interesante të fushave të studimit, për studentët vizitorë janë paraparë bursa studimi dhe zbritje atraktive.
Qëllimi i organizimit të këtij panairi është informimi dhe ngritja e vetëdijes së studentëve për orientimin e duhur në karrierë duke u përcaktuar drejtë për studime në Universitete të përshtatshme të cilat bëjnë përgatitje cilësore për tregun e punës, thonë organizatorët. Përveç kësaj, vizita në panaire studentëve do t’iu mundësojë atyre të përfitojnë praktika të ndryshme në kompanitë pjesëmarrëse, si dhe trajnime adekuate.
Paralelisht me Panairin e Edukimit, organizohet dhe Panairi i Turizmit dhe Sportit. Në këtë panair vizitorët përmes agjencive turistike do kenë mundësi të informohen më për së afërmi me pikat turistike mjaft tërheqëse të cilat janë karakteristikë e vendit tonë. Përveç prezantimit të ofertave për pushime në vend, në këtë panair do të prezantohen oferta shumë interesante edhe për pushuesit të cilët preferojnë që pushimet e tyre verore dhe ato dimërore t`i kalojnë në vende si Shqipëria, Mali i Zi, Turqia, Greqia apo edhe Bullgaria.
Fokusi i edicionit të sivjetmë vazhdon të jetë promovimi i turizmit vendor, rajonal si dhe eksplorimi i pasurive natyrore dhe kulturore. Ndërsa për dallim nga vitet e kaluara, në këtë edicion i është kushtuar vëmendje e veçantë ngritjes së vetëdijes dhe promovimit të sportit, shëndetit dhe fitnesit, duke ditur benefitet dhe rolin e tij terapeutik për një jetë me shëndet të mirë fizik dhe psikologjik. Ky event do të kontribuojë posaçërisht në promovimin e të gjithë talentëve të sportit, të cilët çdo ditë e më shumë po korrin suksese të përmasave botërore.
Kompanitë pjesëmarrëse kanë përgatitur oferta tërheqëse për të gjithë të interesuarit që këtë vit pushimet e tyre të jenë më atraktive por edhe me çmime promovuese.
Po ashtu, për të gjithë të pasionuarit e sportit kompanitë sportive dhe qendrat e fitnesit përveç prezantimit të shërbimeve të tyre, do të ofrojnë çmime të përshtatshme për vizitorët e panairit.
Gjatë dy ditëve sa do të zgjasë panairi, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin një sërë aktivitetesh përcjellëse, si konferenca, prezantime dhe performanca të ndryshme nga pjesëmarrësit në panair, por nuk do të mungojnë edhe lojërat shpërblyese për të gjithë vizitorët ku përfshihen edhe pushime falas.
Në kuadër të panairit pjesëmarrësit do të kenë mundësi të bisedojnë ballë për ballë dhe në mënyrë të detajuar me secilin përfaqësues të kompanisë prezantuese, duke marrë kështu informata të duhura për shërbimin për të cilin janë të interesuar. Duke vizituar këto panaire çdo vizitor do të mund të krijoi një ide të qartë, se cila prej kompanive në treg do të jetë më e përshtatshme për realizimin e kërkesave të tij.
Të dyja panairet do të jenë të hapura për dy ditë me radhë në datat 19 dhe 20 Prill, nga ora 10 deri në ora 18. Për të gjithë vizitorët hyrja në panair do të jetë pa pagesë.
Aktualisht, në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj është i hapur dhe Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK). Deri më 21 prill, aty prodhimet dhe shërbimet e tyre do t’i ekspozojnë 174 kompani të ndryshme.