Në Kosovë kanë nisur festimet për 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit kombëtar shqiptar, e cila është ditë pushimi me vendim të veçantë të qeverisë.
Kryeqyteti Prishtina dhe qytetet tjera tradicionalisht në 17 vitet e lirisë e 8 vitet e pavarësisë së Kosovës mbushen plot me flamuj kuq e zi dhe njerëz në festën e madhe në sheshe edhe me koncerte.
Në qytetin më të madh lindor, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të premten pasdite një seancë solemne për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, ku ka marrë pjesë edhe Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, e shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Qyteti i Pejës, më i madhi perëndimor, është i pari në Kosovë që hapi festimet e 104 vjetorit të pavaresisë së Shqipërisë. Komuna e Pejës në bashkëpunim me Ambasaden e Shqipërisë në Kosovë dhe Universitetin “Haxhi Zeka” kanë organizuar aktivitetet “Java e Nëntorit” për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
Në qytetin më të madh verior të Kosovës, Mitrovicë, Ambasada e Shqipërisë në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës organizuan veprimtari në kuadrin e 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në aktivitetet festive mori pjesë edhe ambasadori shqiptar Minxhozi, i cili vizitoi edhe Kullën e heroit kombëtar, Isa Boletini. Me këtë rast u theksua se, Mitrovica gjithmonë ka qenë e njohur për Þgura të shquara që kanë bërë shumë për kombin.