Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE) dje ka diskutuar për çështjen e liberalizmit të vizave për Kosovën, ndërsa sot do të votojë nëse duhet të vazhdohet më tutje procesi i vendimmarrjes për këtë çështje.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se takimi i radhës i Komitetit LIBE është sot (e enjte), në orën 9:20.
“LIBE ka 60 anëtarë dhe rreth 59 zëvendësues… Më 30 gusht, nga ora 9:20 do të votohet me shumicë mbi mandatin për të shkuar në negociata me Këshillin dhe me Komisionin, andaj edhe quhet votimi mbi mandatin për trialog”, ka deklaruar Hoxha në një prononcim për “Zërin”.
Ajo më tej ka thënë se në bazë të takimeve që ka pasur me eurodeputetë vendimi i Komitetit LIBE do të jetë pozitiv për Kosovën. “Sipas të të gjitha takimeve që kemi mbajtur deri më tani me eurodeputetë përkatës, të cilët përfaqësojnë grupimet e ndryshme politike, nuk presim befasi dhe jemi optimistë se vendimi do të jetë pozitiv. Procedura e mëtutjeshme është votimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe në Këshillin e Ministrave”, ka sqaruar Hoxha.