Ka filluar procesi i votimit në Taxhikistan, shtet në Azinë Qendrore me regjim të theksuar autoritar. Këto janë zgjedhjet e para që nga vendimi për ndalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje të Partisë së Rilindjes Islamike, që ishte partia më e madhe në opozitë.
Partia Demokratike Popullore, e udhëhequr nga presidenti i tanishëm, Emomali Rahmon, pritet që edhe kësaj radhe ta fitojë shumicën e ulëseve në Dhomën e Ulët, e cila përbëhet nga 63 anëtarë.
Presidenti Rahmon është në pushtet në Taxhikistan që nga viti 1992. Mediet lokale raportuan se ai e shfrytëzoi të drejtën e votimit në orët e mëngjesit.
Në këto zgjedhje po garojnë edhe gjashtë parti të tjera më të vogla. Partia Socialdemokrate është e vetmja nga opozita që po merr pjesë në garë.
Kjo parti i ka paraqitur vetëm pesë kandidatë, sepse nuk kishte mundësi financiare që ta paguante shumën prej 600 dollarëve për secilin pjesëmarrës, kur fillimisht i kishte regjistruar tetë kandidatë.
Në të kaluarën, Partia Socialdemorkate ka dështuar ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind të votave për të siguruar së paku një ulëse në kuvend. Ajo i ka akuzuar autoritetet taxhike se kanë dështuar të mbajnë zgjedhje të lira dhe të drejta.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë rreth 4 milionë e 793 mijë banorë.
Qeveria e Taxhikistanit më parë është akuzuar për shtypje të grupeve opozitare dhe të kritikuesve të saj. Zgjedhjet e kaluara janë përcjellë me dyshimet për mashtrime dhe parregullsi.