Sot mbahet takimi i Kurtit e Vuçiqit në Ohër

Prishtinë | 18 Mar 2023 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbajnë sot në Ohër të Maqedonisë Veriore takimin e radhës në kuadër të dialogut.

Bashkimi Evropian ka informuar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, së bashku me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nga ora 10:00 do të takohen ndaras me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimeve ndaras, do të mbahet edhe një takim i përbashkët, i cili do të fokusohet në propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për përmbajtjen e Propozimit evropian, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Ndryshe kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se në propozimin e bërë për Planin Evropian më 18 gusht të vitit të kaluar, ka thënë se do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në mes Kosovës e Serbisë, përfshirë Asociacionin.

Të ngjashme