Te përfaqësuesja e Kosovës në futboll janë shprehur të bindur se kundër Moldavisë do të arrijnë fitore për ta siguruar mbetjen në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Ndeshja Kosovë – Moldavi do të luhet sonte (20:45) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Është edhe ndeshja e fundit e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, që për “Dardanët” ishte fushatë dëshpëruese.
Kosova nuk ka shënuar fitore që prej tetorit të vitit të kaluar kur fitoi ndaj Malit të Zi në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.
Humbjen e fundit Kosova e pësoi ndaj Sllovenisë, të dielën në Lubjanë. Humbi 2:1, me golin e pësuar në fund të ndeshjes.
Fitorja dhe barazimi ia sigurojnë Kosovës qëndrimin në Ligën C edhe në edicionin e tretë të garës evropiane për përfaqësuese. Në rast të humbjes, Kosova duhet të luajë në plejof për të siguruar qëndrimin në këtë nivel garash.
Kosova së bashku me Moldavinë dhe Estoninë janë tri përfaqësueset e vetme në Ligën C që deri më tani nuk kanë shënuar asnjë fitore.