Në ora 07:00 ka nisur heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale, ku nesër nga ora 07:00 deri në orën 19:00, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, do të mund të votojnë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre komunalë.
Subjektet politike, të cilat për 30 ditë kanë zhvilluar fushatë, nga tani deri në përfundim të votimeve, janë të detyruar që t’i përmbahen heshtjes zgjedhore.
Në këto zgjedhje janë certifikuar 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetar komune apo për kuvende komunale, në komunat e Kosovës.
Në ditën e zgjedhjeve, në 2 mijë e 505 vendvotime në të gjithë Republikën e Kosovës do të angazhohen rreth 18 mijë anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve, si dhe rreth 2 mijë anëtarë rezervë.
Gjithashtu, janë trajnuar 17 mijë e 635 komisionarë. Po ashtu, janë akredituar mbi 33 mijë vëzhgues.