Qeveria e Kosovës ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të përkrahur lejimin e dërgimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit. Kjo seancë pritet të mbahet të martën, sot, me fillim prej orës 18:00.
Ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Qeveria ka miratuar vendimin që të dërgojë një kontingjent të FSK-së në misione jashtë vendit me Gardën Ndërkombëtare të Iowas, në bazë të një ftese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sot, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për KOHËN se kanë pajtim me të gjitha grupet parlamentare për këtë çështje.
Për lajmin ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Ai ka thënë se viti “po nis me një lajm fantastik”.
“Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështetë kërkesën e Qeverisë që Parlamenti të mbajë, sot, seancë të jashtëzakonshme, për lejimin e angazhimit të Ushtrisë së Kosovës në Misione Paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës. Jemi të bindur se secili ushtar i Kosovës do ta nderojë atdheun dhe flamurin tonë, dhe Kosovës do t’i kthehet faqebardhë!” ka shkruar ai.