Sot pritet të nis gjykimi në rastin e njohur si “Toka 2”

Prishtinë | 19 Pri 2022 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Sot, në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritet të nis gjykimi në rastin e njohur si “Toka 2”.

Gjykimi do të vazhdojë për të akuzuarit Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, të cilët akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera.

Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi ka arritur parashkrimi absolut ndaj tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Deri tani nuk është mbajtur asnjëherë seanca e shqyrtimit gjyqësor, pas vërtetimit të aktvendimit nga Gjykata e Apelit lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hudhjen e aktakuzës.

Ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Të ngjashme