Ish Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP) njëherit edhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Enver Hasani, në seancën e sotme pritet të jap fjalën e tij përfundimtare.Përveç Hasanit, në këtë proces gjyqësor i cili ka filluar në korrik të 2016, argumentet përfundimtare pritet ti paraqesin edhe dy të akuzuarit tjerë Haki Veliu dhe Albert Rakipi, si dhe prokurorja e çështjes Drita Hajdari.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pretendon se Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Haki Veliu në cilësi të shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Ragipi në cilësi të drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe.Sipas aktakuzës, të njëjtit kishin hartuar edhe një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale.
Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.65 euro.Ndryshe në seancën e fundit të mbajtur më 10 tetor, ka dhënë dëshminë e tij rektori aktual i UP-së Marjan Dema. I njëjti ishte prorektor për financa, në kohën kur rektor i Universitetit Publik ishte Enver Hasani.
Dema gjatë seancës së kaluar deklaroi se Hasani, në kohën sa ishte rektor, ka pasur kontroll të plotë mbi kontratën për përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe.Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale, Drita Hajdari, nëse ka pasur njohuri në lidhje me kontratën për përkthime të teksteve, kontratë e cila është objekt i aktakuzës, Dema ka deklaruar se ajo kontratë ka qenë e iniciuar dhe mbikëqyrur ekskluzivisht nga Enver Hasani.
“Largimi i Kreshnik Gashit nga pozita e tij në zyrën e prokurimit, sjellja e Hakif Veliut në zyrën e prokurimit pa konkurs, afërsia e Enver Hasanit me Institutin për Studime Ndërkombëtare dhe fakti që Hasani më ka pyetur mbi 20 herë në lidhje me kontratën në fjalë, më kanë bërë të mendoj që e gjithë kjo kontratë ka qenë e kontrolluar nga Enver Hasani”, ka deklaruar Dema.
Ai në seancën e 10 tetorit tha se tenderi për përkthimin e teksteve kishte dështuar dy herë. Për herën e parë, Dema tha se ishte vendosur që të shkohet me tender një burimor.Për këtë tender, Dema ka thënë se ishte vendosur gjatë një takimi në restorant “Pishat”, në të cilin kishin qenë pjesëmarrës, rektori i atëhershëm Enver Hasani, Marjan Dema si dhe dy zyrtarë të Agjencisë së Prokurimit.