Avokati i Popullit së bashku me Organizatat Joqeveritare në Republikën e Kosovës, sot shënojnë Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut – 10 dhjetori.
Kjo iniciativë njëkohësisht shënon, të parën herë, në të cilën Avokati i Popullit dhe Organizatat Joqeveritare në bashkëpunim nënshkruajnë një Deklaratë të Përbashkët, me të cilën u bëhet thirrje të gjithë akterëve të pushtetit shtetëror për angazhim të shtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.
Iniciativa ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar gjithpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit efektiv për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Kosovë.
Me këtë rast do të nënshkruhet Deklarata e përbashkët e Avokatit të Popullit dhe Organizatave Joqeveritare si dhe do të organizohet një marsh me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”.