Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të zhvillojë bisedime të mërkurën në Islandë me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, në kohën kur raportet mes dy fuqive botërore janë në pikën më të ulët në vitet e fundit.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë thanë se dy kryediplomatët do të takohen gjatë mbledhjes së Këshillit të Arktikut në kryeqytetin islandez, Rejkjavik, për t’u përgatitur për një samit të mundshëm mes presidentëve Joe Biden dhe Vladimir Putin muajin e ardhshëm.
Megjithatë, pritet që Blinkeni dhe Lavrovi të kenë agjendë më të ngjeshur gjatë takimit të tyre të parë. Marrëdhëniet mes dy shteteve po rrezikojnë që të bien në nivelin e Luftës së Ftohtë, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë qëndrime të ndryshme për një numër të madh të çështjeve, përfshirë grumbullimin e trupave ruse afër Ukrainës, shtrirjen e ndikimit në Arktik, trajtimin e kryeopozitarit rus, Aleksei Navalny, gazsjellësin rus “Nord Stream 2” dhe akuzat e ShBA-së ndaj Rusisë për sulme kibernetike dhe ndërhyrje në zgjedhjet e shteteve perëndimore.
Kryediplomati amerikan ka thënë se takimi me homologun rus është një mundësi e rëndësishme për të parë nëse Uashingtoni dhe Moska mund të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të punojnë së bashku rreth disa çështjeve të tjera si ndryshimet klimatike, Lindja e Mesme, Irani dhe Koreja Veriore.
Rejkjaviku ka një histori të takimit të nivelit të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Më 1986, në kryeqytetin e Islandës ishin takuar ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan, dhe ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev.