Seanca konstituive e mbledhjes së re të Parlamentit Evropian do të mbahet nga data 16 deri më 19 korrik në Strasburg dhe deputetët do të kenë për detyrë që fillimisht të zgjedhin presidentin dhe nënkryetarët e këtij organi legjislativ të BE-së. Më pas ai do të vendosë nëse do të mbështesë presidenten aktuale të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të marrë një mandat të dytë në këtë pozicion.
Deputetët do të zgjedhin kryetarin e PE-së për dy vjet e gjysmë.
Kandidatja për kryetare të PE është kryetarja aktuale e këtij organi, Roberta Metsola, politikane malteze nga Partia Popullore Evropiane, grupi politik që ka marrë më së shumti vota në PE pas zgjedhjeve të mbajtura nga 6 deri më 9 qershor të këtij viti.
Kryetari i PE-së zgjidhet me votim të fshehtë dhe me shumicë absolute të votave të vlefshme.
Pas zgjedhjes së kryetarit të PE-së, deputetët do të zgjedhin edhe 14 nënkryetarë dhe më pas duhet të zgjedhin edhe pesë “kuestorë”, të cilët janë përgjegjës për çështje administrative dhe financiare që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me deputetët dhe kushtet e tyre të punës.
Nënkryetarët dhe “kuestorët” e PE-së zgjidhen gjithashtu me shumicë absolute, për një periudhë dyvjeçare e gjysmë, siç zgjidhet edhe presidenti i Parlamentit Evropian.
Votimi për kandidaturën e Ursula von der Leyen për një mandat të ri është planifikuar për të enjten, më 18 korrik në orën 13:00, ka paralajmëruar më herët Parlamenti Evropian.
Von der Leyen, gjithashtu anëtare e Partisë Popullore Evropiane, e cila mori mbështetjen e liderëve të BE-së në fund të qershorit, do të flasë në sesionin e PE në orën 9 të mëngjesit po këtë ditë dhe do të prezantojë vizionin dhe planet e saj për pesë vjetët e ardhshëm, dhe më pas do të pasojë debat me anëtarët e PE-së.
Pas diskutimit do të bëhet votimi i fshehtë për kandidaturën e saj dhe që ajo të zgjidhet duhet të marrë mbështetjen e shumicës absolute të deputetëve, pra së paku 361 nga 720 deputetë.
Nëse nuk votojnë mjaft eurodeputetë për të, udhëheqësit e BE-së duhet të propozojnë një kandidat të ri për president të Komisionit brenda një muaji.