SOUND OF SILENCE

Prishtinë | 05 Jan 2026 | 21:43 | Nga Dardan Sejdiu

31 dhjetor në Prishtinë. Në parkingun e një supermarketi në periferi, aty ku tabela ende e quan zonën “industriale”, rrin një tymtar i vjetër. I lodhun. I varun në një skelet metali që s’ka ma punë. Askush s’e vëren. Njerëzit kalojnë poshtë tij me qese, me pako, me karroca të mbushuna plot që kërcasin në asfalt, të ngarkum me mbrri në kohë për darkën e fundvitit. “Kah je sonte?” e pyesin njëri-tjetrin. “Me të shpisë,” vjen përgjigjja. Tymtari ka qenë dikur simbol prodhimi e pune. Sot duket si dekor i pavullnetshëm. Një simbol i një gjuhe që s’e flasim ma.

Në qendër të Prishtinës, filmi është tjetër. Neon, zhurmë, kolona, vetura me tabela të Gjermanisë e Zvicrës që sillen rreth rrethrrotullimeve si me qenë tu kërku një vendparkim, po në fakt janë tu kërku një ndjenjë. Diaspora, përveç votës, e ka sjellë atë ngrohtësinë e vet të përkohshme, atë euro-n që e bën qytetin me u duk si njeri që, për tri ditë, i ka rregullu punët. E si gjithmonë, në ajër të Prishtinës përzihen tri erëra: ndotja e Obiliqit, zgarat, dhe parfumi i lirë i një prosperiteti treditësh që e mbulon ankthin si pudër, asi pudre të trashë.

Prej një restorani që shet “brunch” me emra anglisht, Prishtina duket si tregim suksesi. “Boom-town”. Një vend ku krejt kanë punë, krejt kanë plane, krejt kanë me ndërtu diçka. Veçse, kur e nis kerrin 15 minuta kah periferia, kah “zonat industriale”, diçka ndalet. Jo si kur s’ka sinjal në telefon. Po si kur s’ka puls në zemër.

Aty ku dikur ishte fabrikë, sot është supermarket. Parkingu është plot. Dritaret e pastra. Mermeri i lirë. Në hyrje të pret oferta e ditës e shpërfaqur me të verdhë, brenda e blen qumështin, detergjentin, bukën, pak djathë e ca vezë. I blen edhe ca gjëra që s’i kemi prodhu kurrë vet, me pare që s’i kemi fitu kurrë mjaftueshëm. Në atë hapësirë ku dikur era e pluhurit të metalit dhe vajit të makinave ishte krenari, sot era e vetme është detergjenti dhe plastika e re e Kinës.

Kjo s’është nostalgji. Kjo është autopsi.

Kosova s’u rrëzu me një krismë. U rrëzu ngadalë, me vetëdije, si trup që e ka sëmundjen e keqe, po e zgjedh qetësuesin, jo operacionin. Dhe sa herë që duhej me ia hap barkun problemit, ia vumë një karamelë në gojë.

Motivi i kësaj historie është i thjeshtë: aritmetika kundër numerologjisë.

Aritmetika tregon sa prodhon, sa shet, sa importon, sa ikin.

Numerologjia tingëllon bukur në fjalime, në video të shkurta, e në tubime.

ÇMONTIMI SI “ZHVILLIM”

Në vitet e para pas luftës, privatizimi u shit si shans i dytë. Si “rilindje”. Si moment i madh me e kthy ekonominë prej planit në treg, prej pluhurit në prodhim. Në praktikë, u bë e kundërta: mekanizëm çmontimi, jo ndërtimi.

Në shumë raste, fabrika u pa si problem likuidimi, jo si platformë zhvillimi. Asetet “të pastra” u nxorën si dhëmbë, tokat u llogaritën si potencial për market, ndërsa punëtori dhe dijet e tij u lanë mbrapa si diçka që s’ka ku me u regjistru. Kultura e mirëmbajtjes, zinxhiri i furnitorëve, prodhimi, ajo pjesa e ekonomisë që s’ka zë, u la me u tretë.

Tragjedia këtu s’ka skenë. Ka procedurë. Nuk ka zhurmë, ka procesverbal. Asetet “e pastra”, toka e ndërtesat u bënë ma të vlefshme se linja e prodhimit. Fabrika u pa si tokë për ndërtim, jo si muskuj për zhvillim.

Në Kosovë, “investimi” s’është pyetje teknologjie. Është pyetje metri katror. Nuk pyetet “çka prodhon?”, pyetet “sa hektarë janë?”. Nuk pyetet “ku shkon eksporti?”, pyetet “a ka dalje në rrugë kryesore?”. Kështu, shumë hapësira industriale kaluan, pa bujë, prej erës së vajit të makinave në erën e detergjentit dhe të bukës së ngrirë.

Dhe shenja e parë e katastrofës s’ishte ideologji. U hap një terminal doganor për kamionë importi. Ekonomia nuk u ndërtu rreth prodhimit, po rreth zhdoganimit.

Numrat e asaj kohe janë të pamëshirshëm.

Në 2005, Kosova eksportoi rreth 56.3 milionë euro dhe importoi rreth 1.157 miliardë euro. Eksporti e mbulonte importin vetëm 4.9 për qind. Me fjalë të thjeshta: për çdo një send që shiste Kosova jashtë, blinte rreth njëzet brenda.

Sot, 20 vjet ma vonë, me ritmin e 2025 (janar–shtator), vendi shkon kah një vit me rreth 7 miliardë euro importe dhe rreth 800 milionë eksporte, një deficit që s’është ma veç shifër, po mënyrë jetese: “boom” në qarkullim, shkatërrim në prodhim. Kjo s’është zhvillim. Është model varësie. Ekonomi që e sjell botën në kamion dhe e paguan me pare që s’vijnë prej prodhimit.

Dhe kur një vend arrin këtu, ka dy zgjedhje: ose e bën industrializimin obsesion shtetëror, ose e bën importin normalitet kulturor. Ne e zgjodhëm normalitetin.

PESË VITET E FUNDIT, HIGJIENA QË U SHIT SI ZHVILLIM

Në pesë vitet e fundit, u kriju një narrativë e re. “Rritje”. “Rekorde tatimore”. “Sukses”. Dhe po, të hyrat u rritën. Por pyetja që e vret numerologjinë është e thjeshtë: a u rrit prodhimi, apo u rrit vetëm regjistrimi i të hyrave? Nëse e sheh shtetin si trup, formalizimi është larje duarsh. Është higjienë. Po higjiena nuk është muskul. Mundesh me qenë i pastër dhe prapë i dobët.

Friedrich List-i e ka një fjali për këtë punë, jo për tregtinë e lirë si fe, po për fuqinë prodhuese. Ai thotë: “Fuqia me prodhu pasuri osht pafundësisht ma e rëndësishme se vetë pasuria.” Te na, pasuria u bë konsum i importit, kurse fuqia u bë biletë “one-way”.

Aty ku propaganda sheh “boom”, aritmetika sheh diçka ma të ftohtë. Rritja e të hyrave nuk ka ardhë si shpërthim produktiviteti. Pjesa ma e madhe ka ardhë sepse inflacioni i fryn faturat. Një pjesë e madhe ka ardhë sepse shteti u bë ma i mirë në formalizim. Dhe vetëm një pjesë shumë e vogël lidhet me rritje reale të ekonomisë.

Me fjalë të thjeshta: nuk prodhuam ma shumë, veç fillum me numëru ma mirë.

E këtu nis vetë-mashtrimi: kur shteti e sheh arkën tu u mbush, e pastaj e ngatërron arkën me ekonominë. Kur e ngatërron arkën me ekonominë, fillon me e shit zhdukjen e vlerës si sukses. Dhe na, të “lodhun” prej krizave, e pranojm. Sepse numrat duken mirë, edhe pse jeta s’duket.

KARAMELAT DHE FRIKA

Politika kosovare e ka një refleks të vjetër, refleksin e qetësuesit: kur s’mundesh me e shëru problemin, jepi diçka që ta harron përkohësisht. Një shtesë. Një top-up. Një subvencion “emergjent”. Një rritje e vogël pensioni. Një paketë që tingëllon njerëzore, dhe shpesh edhe është, po që bëhet problem kur e zëvendëson kirurgjinë.

Karamela është e ëmbël, po nuk ushqen. E mbush gojën, po s’e ndërton trupin. Në një vend ku baza industriale është e dobët, ku zinxhiri i prodhimit është i cungum, ku eksporti është i varfër, transferet pa investim prodhues janë si me hedh ujë në zallë. Duken për një moment. Pastaj zhduken.

Autopsia s’bërtet. Mjafton me bo një pyetje që s’del në debat: çka u ndërtu me paratë e karamelave?

Nëse një pjesë super serioze e buxhetit shkon çdo vit në transfere, e investimet kapitale trajtohen si dekor, atëherë s’po flasim për mungesë parash. Po flasim për mungesë ambicie. Sepse me të njëjtat pare, me një plan të thjeshtë, energji stabile, zona industriale funksionale, laboratorë standardesh, logjistikë eksporti, dhe shkolla profesionale të lidhura me treg e fabrika reale, sot do të kishim punë e jetë që mban njeriun këtu, jo karamele që e shtyjnë problemin edhe një muaj.

Aritmetika edhe këtu është e thjeshtë: kur shpenzon shumë për me ble qetësi të sotme, e paguan çmimin e së ardhmes.

Karamela e ka një problem që e din çdo prind: në një pikë, s’bën ma punë. Atëherë vjen mjeti tjetër, ma i lirë se çdo shtesë: frika.

Kur top-up-i e shtesa s’po e mbulon ma stresin, kur çmimet ta hanë shtesën brenda dy ditëve, shteti e ndërron instrumentin. Prej “ja 100 euro” në “armiku te dera”. Prej “pensionet u rritën” në “veriu po kallet”. Prej “ne po ndërtojmë” në “ne po mbrojmë”.

Nacionalizmi këtu nuk vjen gjithmonë si ideologji. Vjen si sirenë emergjente. Si alarm që ta mbyll gojën. Si narrativë që ta ndërron temën. Sepse kur je i frikësuar, nuk pyet: pse s’po prodhojmë? Pse s’po eksportojmë? Pse rryma s’është e sigurt? Pse “zonat industriale” janë parkingje? Pse çmimet po rriten?

Karamela e blen qetësinë. Frika e blen heshtjen. Operacioni shtyhet.

MOTORI I RRJEDHJES, QESA E MARKETIT SI BILANC KOMBËTAR

Kosova është ekonomi që punon si kovë me vrima. Paratë hynë, po s’rrijnë.

Në maj 2025, deficiti tregtar ishte rreth gjysmë miliardi euro në një muaj. Në nëntor 2025, prapë rreth 470 milionë. Shifrat ndryshojnë pak. Historia jo.

Në supermarketin e periferisë, e sheh këtë histori në formën ma të thjeshtë. Një grua i numëron centët te arka dhe e lëshon një fjali që e përmbledh krejt ekonominë: “Nuk po më mbetet kurgjo, po prapë po blej.” Qumësht, detergjent, pak mish. Shumica me origjinë diku tjetër, edhe malli, edhe parja!

Kjo është rrjedhja. Kur i jep para konsumatorit në një ekonomi ku rafti është i huaj, ti nuk je tu e rrit prodhimin vendor. Je tu e rrit shitjen një vendi tjetër. Brenda 48 orëve, parja e humb “pasaportën” kosovare. Jo si slogan. Si mekanikë.

Ekonomia duket e gjallë veç pse kufiri është i nxanun. Dhe kur kufiri është i nxanun, politikanët e quajnë “zhvillim”. Aritmetika e quan “rrjedhje”.

TROMBOZA ENERGJETIKE, TAKSA QË S’E SHEH NË FATURË

Në një vend normal, energjia është kusht bazik. Te na, energjia është dramë e përditshme.

Për një prodhues, ndërprerja s’është statistikë. Është seri prodhimi e prishur. Është ndrrim i humbur. Është kontratë që shkon diku tjetër. Dhe gjeneratori bëhet pjesë e inventarit standard. Një pronar fabrike e thotë pa shumë emocione: “Gjeneratori s’ma rrit prodhimin. Veç ma mban gjallë.” Defibrilator, jo zemër e re.

Pastaj erdhi 2025 dhe liberalizimi për konsumatorët e mëdhenj. Disa biznese u panë përballë çmimeve që s’i përballojnë, me frikë reale për trefishim të faturave. Kur rryma bëhet e shtrenjtë dhe e pasigurt, industria nuk vdes menjëherë. Veç fillon me u lodhë. Me u ngadalësu. Me u zhvendosë. Si njerëzit! One-way ticket!

E ne nuk patëm as guxim me u përball me të vjetrën, as disiplinë me e ndërtu të renë. Mbetëm në mes, me fjalë të mëdha dhe me gjeneratorë të vegjël.

PATUNDSHMËRIA, VARRI I FUNDIT I KAPITALIT

Në këtë vend, kapitali e ka gjet vendin ma të sigurt ku me fjet: banesa të zbrazëta.

Në ndërtesa të reja, xhami shkëlqen, hyrjet kanë kamera, po mbrëmjeve dritat rrinë të fikura. Ballkonet si sy të mbyllur. Perde për dekor. Kolltuk me najlon. Banesë e re, e pa banuar. Një tjetër. Një tjetër.

Kapitali shkon në beton, jo në makineri. Pastaj, kur kërkohet investim për teknologji e linjë prodhimi, përgjigjja del e njëjtë: “s’ka leverdi”, “s’ka siguri”, “s’ka treg”. Po ka banesa. Arkivole të bukura për paret e diasporës. Pastaj habitemi pse s’ka teknologji në prodhim, pse s’ka laboratorë, pse s’ka zinxhir eksporti. Sepse kapitali është i zënë duke fjetë.

RAFTET PLOT, VENDI I ZBRAZËT

U mësuam me i menaxhu simptomat. Me i quajt rekordet tatimore “zhvillim”, edhe kur ato janë kryesisht higjienë dhe inflacion. U mësuam me i quajt qendrat tregtare “investim”, edhe kur janë pasqyrë e një ekonomie që blen ma shumë se sa krijon. U mësuam me e pagu rrymën si dënim, edhe kur rryma është kushti i parë i prodhimit. U mësuam me i pa njerëzit tu ik, si me qenë mot i ligë, jo alarm.

Diku në periferi, aty ku tabela ende thotë “zonë industriale”, tymtari i vjetër rrin varë mbi një skelet që s’ka ma punë. Nën të, njerëzit kalojnë me kese, pa i qu sytë lartë. Dikur ky vend prodhonte gjëra. Sot ky vend shtyn karroca.

Fishekzjarrët shpërthyen mbi qytet mbrëmë. Pastaj ra heshtja. Dhe në atë heshtje, shkurt, e dëgjon çka kemi zgjedhë me qenë: improvizues me lëmoshë.

Të ngjashme