Analisti politik, Nexhmedin Spahiu i është kundërpërgjigjur kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, në çështjen e ngritur se ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, është e falsifikuar.
Bekim Jashari ka publikuar certifikatën e vdekjes së axhës së tij, duke dëshmuar të kundërtën e asaj që Spahiu ka deklaruar se e ka zbuluar. Por Spahiu në një përgjigje që ka bërë në postimin e Jasharit në Facebook, i ka kërkuar atij që të merret me ata që kanë bërë këtë falsifikim dhe jo me të personalisht.
“I dashur Bekim, ky është një dokument i pasluftës ku çdo njeri në Kosovë, përfshi edhe mua kanë menduar se kryeheroi i Kosovës ka lindur më 28.11.1955. Edhe ofiqari kur e ka lëshuar këtë dokument as që ka kqyrë në librat amzë se ka thanë e di unë përmendsh edhe e ka shkru ashtu. Por librat amzë po shkruajnë se kryeheroi i Kosovës ka lindur me 10.10.1955”.
“Ky reagim i yti po bjen sikur ti po e mbron axhën tënd nga unë, por atë e mbron vepra e tij heroike dhe ti duhesh t’i sulmosh ata që falsifikojnë kot më kot se data lindjes nuk i shton vlerë asnjë njeriu”, shkruan në komentin e Spahiut.
“Dhe së fundit. Unë asnjëherë nuk kam thënë që jam gazetar e as që pretendoj të jem gazetar. Me pa dashtë me u ba nashta edhe isha ba, po ti mos bjerë viktimë e atyre që duke dashuritë më ofendojnë më quajnë gazetar”.