U përfol se pas analistit Halil Matoshi, AAK-së do t’i bashkohet edhe një analist tjetër. Bëhet fjalë për Nexhmedin Spahiun. Por ky i fundit i ka mohuar zërat se do t’i bashkohet ndonjë subjekti politik. Madje thotë se ka vite që ka hequr dorë nga politika. Gazeta Express e ka kontaktuar Spahiun dhe ai e ka mohuar mundësinë e aderimit në AAK.
“Unë kam hequr dorë qëmoti nga politika. Nuk do t’i bashkohem as AAK-së e as ndonjë subjekti tjetër politik. Por mendoj që AAK-ja ka shumë shanse që sivjet të bëhet lider në skenën politike kosovare”, ka thënë Spahiu.
Mirëpo, ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka dhënë sinjale se një gjë e tillë është e mundur. “Krejt çka mund të them është se Haradinaj dhe Spahiu janë miq të mirë mes vete”, tha Lekaj për Gazeta Metro duke mos pranuar që të flasë më shumë për këtë temë.