Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë temë e diskutimeve që janë mbajtur në Bruksel në kuadër të Grupit Punues për Viza. Nga diskutimet që kanë ndodhur brenda është raportuar se Franca dhe disa shtete të tjera kanë kushtëzuar heqjen e regjimit të vizave me funksionalizimin e sistemit ETIAS.
Por cili është qëndrimi i Spanjës për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës kanë thënë se diskutimet veçse kanë filluar dhe se do të ndiqen procedurat normale përmes të cilave pozicioni i shteteve anëtare do të specifikohet.“Lidhur me pyetjen tuaj, diskutimi i parë i përgjithshëm është mbajtur në Grupin Punues për Viza dhe raporti është duke u punuar. Tema vetëm sa ka filluar të trajtohet në Bruksel dhe do të ndjek procedurën normale përmes së cilës do të specifikohet pozicionet e shteteve anëtare”, ka thënë për express Elena Aljarilla Cortezón nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës.
Diskutimet e radhës në Grupin Punues për Viza për rastin e Kosovës pritet që të ndodhin gjatë muajit nëntor.
Nga Franca që është përmendur si shtet që po e kushtëzon Kosovën me ETIAS, kanë thënë për Express së s’do të ketë trajtim ndryshe për Kosovën nga shtete tjera të cilat e kanë fituar së fundi liberalizimin e vizave.
„Ministrat për Çështjet Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë (Trekëndëshi i Ëeimarit) në shtator kanë bërë thirrje për progres sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky qëndrim mbështetës përbën një njohje të përpjekjeve të bëra nga Republika e Kosovës. Ai gjithashtu thekson përkushtimin e Francës në dhe për Ballkanin Perëndimor, i cili është materializuar për shembull në përpjekjet e suksesshme për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ose, edhe më së fundi, në riafirmimin në nivelin më të lartë politik të mbështetjes së saj aktive për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës të Kosovës dhe të Serbisë“, kat hënë për Express ky burim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës.
Ndërkohë Sllovakia si shtet që vazhdon të mos e njohë ende pavarësinë e Republikës së Kosovës në komunikimin e fundit me Express kanë shfaqur sinjale pozitive sa i përket heqjes së kufizimit të lëvizjes për kosovarët brenda Zonës Schengen.
“Sllovakia ka demonstruar fleksibilitetin dhe konstruktivitetin e saj në gamë të gjerë të çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës. Sa i përket liberalizimit të vizave, ne respektojmë vlerësimin e Komisionit Evropian i cili përcakton se Kosova i ka përmbushur kriteret standarde dhe kemi marrë parasysh konfirmimin e vlerësimit nga Parlamenti Evropian. Vlerësimi i brendshëm sllovak në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën aktualisht është duke u zhvilluar”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express nga Ministria e Jashtme sllovake më 15 tetor 2022.
Nga Komisioni Evropian ndërkohë të pyetur rreth sistemit ETIAS, kanë thënë se ai aktualisht s’është duke punuar dhe se funksionalizimi i tij i plotë pritet të ndodh në nëntor të vitit 2023.