Ministrja spanjolle e turizmit, Marie Reyes Maroto, ka thënë se turistët e huaj mund t’i rezervojnë pushimet në Spanjë nga korriku, sepse deri atëherë pritet të pezullohet karantina dyjavore për ta.
Duke qenë një ndër shtetet më të goditura në botë nga pandemia, Spanja ka një ekonomi që është shumë e varur nga turizmi, shkruan “The Guardian”.
Ndonëse qeveria i ka larguar gradualisht disa masa kufizuese, e ka lënë në fuqi karantinën dyjavore për të huajt në përpjekje për ta parandaluar valën e dytë të infektimeve.
“Është koherente në mënyrë të përkryer që të planifikohen pushime verore në Spanjë në korrik”, tha ministrja Reyes Maroto gjatë një interviste për radio-stacionin lokal “Onda Cero”.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha të shtunën se qeveria do ta garantojë sigurinë e vizitorëve dhe banorëve lokalë, kur ata të kthehen nga korriku. “Spanja ka nevojë për turizmin dhe turizmi ka nevojë për siguri edhe në vendin e prejardhjes, edhe në vendin e destinacionit”, shtoi ai.