Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës i ka refuzuar vizat një delegacioni nga Policia e Kosovës i cili këtë javë është dashur të jetë në Barcelonë.
Spanja është një nga vendet evropiane që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe si rrjedhojë, nuk i njeh as pasaportat e shtetit.
Siç raporton “El Món”, transmeton Koha.net, delegacioni i Policisë së Kosovës është dashur të merrte pjesë në konferencën, Kongresi Ndërkombëtar i Policeve Femra, në Barcelonë që është mbajtur nga e diela në të martën, qëllimi i të cilit ka qenë forcimi i rolit të femrave në forca të ndryshme policore dhe njohja më e madhe e detyrave të tyre.
Nga ky Kongres, ftesë ka marrë një Kolonele nga Policia e Kosovës për të prezantuar të arriturat në vend.
Mirëpo, Ministria e Jashtme e Spanjës për shkak të pasaportës së Kosovës, ka refuzuar kërkesën për t’u pajisur me vizë. Refuzimi është bërë nga Ambasada e Spanjës në Maqedoni, që është më e afërta e Kosovës, transmeton Koha.net.
Policia e Kosovës ka treguar se Ambasada nuk ka dashur që arsyetimin për refuzim ta shkruajë në letër, por e ka dhënë vetëm gojarisht.
Mediat spanjolle shkruajnë se, edhe pse pasaportat e Kosovës përmbushin kushtet për të marrë viza Schengen, një gjë e tillë Policisë së Kosovës i është refuzuar nga Spanja.