Menjëherë pasi që i erdhi ftesa për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë, ish-ushtari i UÇK-së, Remzi Shala duke refuzuar t’i përgjigjet së njëjtës, iku nga Kosova.
Janë bërë gati një muaj dhe askush nuk di se ku ndodhet ish-ushtari i UÇK-së, Remzi Shala, pasi që ai u arratis nga Kosova menjëherë pasi që i erdhi ftesa për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë.
Në lidhje me këtë në një përgjigje ekskluzive dhënë lajmi.net, Christopher Bennet, zëdhënës i dhomave të Specializuara të Prokurorisë, ka thënë se Zyra e Prokurorisë së Specializuar (SPO) nuk ofron informacion për gjendjen e hetimit të tij për arsye profesionale, ligjore dhe etike.
Christopher Bennet ka thënë se SPO është e vetëdijshme që individët në Kosovë apo avokatët që flasin në emër të tyre kanë njoftuar në media se ata, ose klientët e tyre, kanë marrë thirrje.
“Sipas Ligjit Special mbi Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar, SPO ka autoritetin, ndër të tjera, që të kërkojë praninë dhe pyetjen e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve, të mbledhë dhe të shqyrtojë informatat dhe provat dhe të marrë vendime për inicimi dhe vazhdimi ose ndërprerja e procedurës penale”, ka deklaruar Christopher Bennet për lajmi.net.
Sipas Christopher Bennet, neni 42 i Ligjit Special tregon qartë për çështjen e thirrjeve të dëshmitarëve dhe pasojat e dështimit të paraqitjes kur thirret.
Në nenin 42 të Ligjit Dhomat e Specializuara dhe Ligjin për Prokurorinë e Specializuar, ndër të tjera thuhet se të gjithë ata që nuk i binden thirrjes mund të përballen me gjoba të ndryshme.
Kjo më së miri specifikohet në pikën 7, 8 dhe 9 të këtij neni.
“7. Nëse dëshmitari që është thirrur në mënyrë të rregullt nuk paraqitet ose nuk e arsyeton mosparaqitjen e tij ose në qoftë se ai largohet nga vendi ku ai duhet të merrej në pyetje pa leje apo ndonjë arsye të vlefshme, ai dëshmitar mund të detyrohet të paraqitet dhe mund të gjobitet deri në dyqind e pesëdhjetë (250) euro për secilën herë që ai ose ajo nuk paraqitet. 8. Nëse dëshmitari paraqitet pasi të jetë thirrur por pasi paralajmërohet për pasojat refuzon të dëshmojë pa arsyetim ligjor, ai mund të gjobitet deri në dyqind e pesëdhjetë (250) euro. Nëse dëshmitari refuzon të dëshmojë edhe pasi të jetë gjobitur, ai mund të burgoset. Burgimi zgjat për aq kohë sa dëshmitari refuzon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura penale të përfundojë, por nuk e tejkalon periudhën prej një (1) muaji. 9. Ankesa kundër aktvendimit me të cilin shqiptohet dënimi me gjobë ose me burgim sipas këtij neni vendoset nga Paneli i Gjykatës së Apelit. Ankesa kundër aktvendimit për burgim nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit. Dënimi sipas paragrafëve 7 dhe 8 të këtij neni shqiptohet nga një gjyqtar”, thuhet ndër të tjerash në nenin 42 të këtij ligji, raporton lajmi.net.