Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka shqyrtuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024 për institucionet që janë në mbikëqyrjeje të këtij Komisioni, raporton Ekonomia Online.
Nga opozita pati kritika për mosftesën për raportim në këtë Komision të institucioneve për të diskutuar në lidhje me ndarjen e buxheti, kjo pasi Komisioni në fjalë për këto ndarje ka kërkuar përgjigje me shkrim nga to.
Për këtë mos ftesë të institucioneve dhe votimin e këtij Projektligji pa dëgjuar kërkesat e tyre, opozita ka lëshuar mbledhjen duke mos marr pjesë në votim.
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu, tha se mazhoranca po sillent në mënyrë arbitrare, sipas saj, mosftesa e institucioneve është një përpjekje e radhës për t’i ikur llogaridhënies dhe transparencës, që sipas saj, e ka karakterizuar këtë qeverisje.
“Arbitrariteti me të cilin po udhëheqin mbledhjen nuk iu bënë nder si kryetar i Komisionit. Këtë e kemi parë, këtë arrogancën që shpërfaqni kudo të numrave po e shohim çdo ditë, kjo nuk iu bënë nder, aq më tepër kur flasim për çështjen e buxhetit, dhe për organizata buxhetore ose për institucione që mbikëqyr komisioni për legjislacion”.
“Në të kaluarën praktikat kanë qenë ashtu siç kanë qenë, janë ftuar institucionet për të diskutuar rreth buxhetit, rreth kërkesave që kanë. Mendoj se është një përpjekje e radhës për t’i ikur llogaridhënies dhe transparencës, që kryekëput e ka karakterizuar këtë qeverisje tuaj. Nuk mundeni të fshiheni prej kërkesave që kanë institucionet duke ju thanë që na dërgoni me letër, sepse opinioni publik dhe ne kanë të drejtat e informimit se cilat janë kërkesat e institucioneve, siç është këshilli që sot e kemi pritur në raportim”.
“Ndërsa, nëse keni marrë vendim që mos t’i ftoni , ka qenë minimumi i korrektësisë politike që t’i informoni deputetët që ata nuk do jenë sot në takim. Konsideroj se pak më shumë korrektësi në qasjen e juaj ndaj opozitës por edhe llogaridhënien për qytetarëve do të ishte mirë”.
Kryetari i këtij Komisioni Adnan Rrustemi, tha se ka rritje të buxhetit në pothuaj se të gjitha institucionet, e për këtë arsye sipas tij, edhe nuk janë ftuar këto institucione për raportim.
“Buxheti për Ministrinë e Drejtësisë në total ishte 35.9 milionë euro, ndërsa me ndarje buxhetore të planifikuara në projektligjin e buxhetit për vitin 2024 MD-së ka pësuar një rritje në total prej 11 milionë euro, ka rritje buxheti vjetor në krahasim me vitin e kaluar”.
“Për KGjK-në është planifikuar të jetë 35.8 milionë euro, ka pësuar një rritje totale prej 1.6 milionë euro, krahasuar me rishikimin e buxhetit për vitin 2023, për vitin 2024 buxheti i KPK-së është 17.2 milionë dhe ka pësuar një rritje prej 1.3 milion apo 8 për qind krahasuar me vitin e kaluar, buxheti i APK-së është 965 mijë euro dhe ka pësuar një rritje 407 mijë euro apo 73.1 për qind, agjencia për krahasim dhe verifikim të pronës ka rritje prej 1.5 për qind dhe KQZ ka një rritje prej 3.4 milion euro apo 54 për qind në krahasim me vitin e kaluar”.
“Gjitha këto institucionet ka ngritje të buxhetit përveç në Akademinë e Drejtësisë ku me ndarjet buxhetore të planifikuar për vitin 2024 është planifikuar të jetë 863 mijë euro dhe ka një ulje prej 29 mijë euro krahasuar me buxhetin e vitit 2023. Unë asnjëherë nuk karakterizohem nga arbitrariteti, jam i hapur për diskutime maksimalisht, mirëkuptoj këto zonat kur opozita dhe politika tenton t’i jep kaheje tjetër në kontekste të shkurta. Mirë është të ruhet atmosferën dhe këtë karakterin e komisionit. Nuk kemi ftuar institucionet për shkak të një dinamike që ka qenë këtë javë”, tha ai.
Besnik Tahiri nga AAK-ja, tha se buxheti i prek dy elemente problematike ligjore, sipas tij, bënë një diskriminim të skajshëm politik dhe bënë një denigrimi të disa komunave.
Për këtë ai ka thënë se është diskutuar prej që duhet ky dokument të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Me lejoni që të jap një vlerësim të lartë për analizën që ka dhënë Kuvendi për buxhetin. Unë kam një çështje për me ngrit, buxheti është konsiderua që i prek dy elemente problematike ligjore, bënë një diskriminim të skajshëm politik dhe bënë një denigrimi të disa komunave, rrjedhimisht është diskutuar prej perspektivës që duhet ky dokument të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Unë e mbështes kërkesën e kolegeve për mi ftuar organizata buxhetore që kanë kërkua buxhet”, tha ai.
Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa, ka thënë se rritje e buxhetit ka por rritjet janë vetëm në mallra e shërbime, mëditje, nuk kemi buxhet të rritur për ndonjë zhvillim në ndonjë institucion.
“Sa i përket praktikave nuk është nga viti i kaluar, janë ftuar në të kaluarën. Ne e kemi parë që ka një rritje të buxheti është një analizë e mirë, por buxheti është rritur në mallra shërbime, mëditje, nuk kemi buxhet të rritur për ndonjë zhvillim në ndonjë institucion. Rritja më e madhe ka ndodhur të Shërbimi Korrektes që të iu plotësohet të burgosurve që vijnë nga marrëveshja me Danimarkën”.
Në këtë Komision pati diskutime edhe në lidhje me ndarjen buxhetore për KQZ-në, për të cilën. Kryesuesi i këtij komisioni Adnan Rrustemi tha se ka rritje për këtë institucione deri në 50 për qind, raporton EO.
“KQZ ka rritje 50 për qind krahasim me vitin e kalaur”, tha ai.
E deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, tha se buxheti duhet të rritet pasi vitin e ardhshëm ka zgjedhje.
“Ka zgjedhje more, çka je duke thënë?”, tha ai.
Për këtë deputeti Rrustemi, tha se zgjedhjet janë në vitin 2025 dhe se në vitin e ardhshëm nuk ka zgjedhje.
“Nuk ka zgjedhje vitin e ardhshëm, zgjedhjet janë në vitin 2025”, tha Rrustemi, raporton EO.
Deputeti Tahiri duke e lëshuar mbledhjen tha “Zoti ju ndihmoftë, shihemi në seancë”.
Në fund ky Projektligj u votua me gjashtë vota për nga Komisioni pa rekomandim as amendamente.