Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK) është e shqetësuar me neglizhencën që po i bën RTK-së Komisioni për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.
SPERTK-ja këtë veprim të Komisionit e quan presion të drejtpërdrejtë në punën e transmetuesit publik – RTK.
Në reagimin e saj thuhet se Kuvendi i Kosovës përveç që dështoi të sigurojë buxhet të mjaftueshëm për RTK-në, ai nuk arriti ta gjejë formën e përhershme të pavarur të financimit të RTK-së.
“Kuvendi i Kosovës si themelues i RTK-së, tash e 17 vjet nuk po arrin ta gjejë pronën për RTK-në dhe ndërtimin e objektit të ri si dhe as nuk po e ndihmon RTK-në, të përfundojë digjitalizimin, proces ky jetik për të ardhmen e RTK-së”, thuhet në reagimin e SPERTK-së.
“SPERTK kërkon nga Kuvendi i Kosovës që menjëherë t’i ndahet buxheti RTK-së për tremujorin e këtij viti si dhe ta sigurojë pronën për RTK-në. SPERTK ia rikujton Kuvendit të Kosovës se në gjysmën e objektit të RTK-së, me rënien e temperaturave, bëhet jofunksional duke filluar nga ngrirja e ujit e shumë gjërave të tjera”, theksohet në reagim.
“Problemi nuk përfundon këtu. Edhe gjatë verës kur ka shira të rrëmbyeshme, i vërshon kanalet e RTK-2 dhe RTK-3, për shkak se këto hapësira ku punojnë kolegët tanë, më së paku janë të përshtatshme për TV”.
SPERTK-ja çdo vonesë të Komisionit për Buxhet e Financa për mos ndarjen e mjeteve për tremujorin e parë të RTK-së e konsideron ndërhyrje direkte në pavarësinë editoriale të RTK-së si dhe në destabilizim të RTK-së, e deri te bojkotimi i punës dhe thirrja për protesta.
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa sot gjatë ditës nuk ka miratuar shpenzimet e RTK-së për periudhën janar-mars të vitit 2017.