Spitalet belge shënojnë numrin më të vogël të pacientëve me Coronavirus në gati 7 javë

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Spitalet në Belgjikë e kanë shënuar numrin më të vogël të pacientëve me Covid-19 në pothuajse shtatë javët e fundit. Ky lajm erdhi një javë para se shteti ta fillojë largimin e masave kufizuese.

Të dielën, numri i pacientëve të pranuar në spitale ra në 127, që është shifra më e ulët që nga 18 marsi. Në kulmin e përhapjes, numri i pacientëve që pranoheshin në spitale shkonte në mbi 600 në fund të marsit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Edhe numri i rasteve të reja të koronavirusit ra në nivelin më të ulët në një muaj në 553, ndonëse zyrtarët shëndetësorë thanë se kjo shifër mund të ketë ardhur pjesërisht për shkak të efektit të fundjavës.

Vendi me 11.5 milionë banorë i mbylli restorantet, kafenetë, sallat e fitnesit dhe shkollat nga 14 marsi, ndërsa nga 18 marsi edhe të gjitha dyqanet joushqimore.

Qeveria bëri të ditur të premten e kaluar se ka plane që ta fillojë largimin gradual të kufizimeve nga 4 maji. Kjo gjë pritet të bëhet në disa faza.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme