Sistemet shëndetësore në qytetet më të mëdha të Brazilit janë buzë kolapsit, për shkak të numrit të të infektuarve me coronavirus, është thënë në një raport të Institutit shtetëror Fiocruz.
Instituti me bazë në Rio de Zhaneiro ka thënë që më shumë se 80 për qind e shtretërve në departamentet e kujdesit intensiv janë të zënë në kryeqytetet e 25 nga 27 shtetet e Brazilit.
Të martën Brazili ka regjistruar 1,972 viktima me coronavirus, një rekord i ri ditor.
Ky shtet ka raportuar për më shumë se 266,000 vdekje dhe 11 milionë raste me këtë virus, prej kur ka shpërthyer pandemia.
Ky vend ka shkallën e dytë më të madhe të vdekjeve në botë pas Shteteve të Bashkuara, dhe është në vendin e tretë në listën e rasteve të infektimit.
“Lufta kundër coronavirusit është humbur më 2020 dhe nuk ka asnjë edhe një mundësi për të kthyer mbrapsht këtë situatë tragjike në pjesën e parë të vitit 2021”, ka thënë epidemiologu i Institutit Jesem Orellana për agjencinë e lajmeve AFP.
“E gjitha çfarë mund të bëjmë është të shpresojmë për një mrekulli të vaksinimit masiv apo ndryshim rrënjësor të menaxhimit të pandemisë”.
Javën e kaluar, ekspertët i kanë thënë të përditshmes braziliane Valor Economic se vdekjet shumë shpejt mund të rriten në mbi 2,000 në ditë.
Ata kanë paralajmëruar se mënyra e vetme për të shmangur këtë skenar është përmes masave të izolimit, përdorimit të maskave dhe rritjes së shkallës së vaksinimit.
Më shumë se 8 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës, çka përbën vetëm 4 për qind të popullsisë së Brazilit.