Spitali i Gjilanit me shtretër të rinj për repartin e dializës

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 13:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë ndarë 20 shtretër të rinj për Spitalin e Gjilanit, të cilët janë vendosur në reparte të ndryshme, duke zëvendësuar të vjetrit, për të ofruar qëndrim më të rehatshëm tek pacientët që kërkojnë trajtim mjekësor.

12 prej tyre, janë vënë në dispozicion të Pavijonit të Hemodializës, kurse të tjerët në Kujdesin Intesiv të Kirurgjisë e Gjinekologjisë dhe në Repartin e Neurologjisë.

Drejtori i Spitalit, Nisret Hajrullahu, thotë se shpërndarja e shtretërve të rinj është bërë në bazë të prioriteteve.

“Kishim nevojë jashtëzakonisht të madhe për një lloj të shtratit të tillë që kemi marrë. Jemi fokusuar që shfrytëzueshmëria të jetë sa më e madhe. Kështu që, kemi vendosur që t’i japim prioritet Repartit të Hemodializës, ku çdo ditë vijnë pacientë dhe shfrytëzohet në mënyrë shumë racionale”, thotë Hajrullahu.

Duke folur për shtretërit, internisti Durgut Ademi thotë se pacientët janë të kënaqur dhe furnizimi me ta ka qenë i domosdoshëm.

“Ka qenë nevojë emergjente furnizimi i repartit me shtretër të rinj, duke pasur parasysh që Reparti i Hemodializës ka disponuar një inventar shumë të vjetër. Në anën tjetër, duke pasur parasysh se në këtë repart duhet t’i iket kontaktit me agjentë infektivë, ka qenë shumë imediate furnizimi me këta shtretër”, pohon Ademi.

Reparti i Dializës ka 20 shtretër dhe ofron shërbime 24 orë. Aktualisht, në Spitalin e Gjilanit, trajtohen 60 pacientë, ndërsa gjatë verës numri rritet, pasi që aty marrin tretman edhe raste nga diaspora.

Refik Koprani, i shtrirë në Repartin e Hemodializës, ku kalon pjesën me të madhe të ditës tash e disa vjet, thotë se shtrati i ri është shumë i përshtatshëm.

“Kush i ka sjell nuk e di, këtë e përshkruaj si një shërim timin, po ju them drejt. Shtretërit e vjetër kanë qenë katastrofë. Me këta jemi tepër të kënaqur. Trupi po pushon, kur po bjen, po din ku po bjen. Qysh të kesh dëshirë e lëviz. Unë kam qenë në Tiranë, ama këta shtretër që i kanë sjell këtu janë shumë më të mirë”, thekson Koprani.

Pacientja tjetër Naxhije Gërbaci, ndërkaq, ka bërë një krahasim të shtratit të ri me të vjetrin.

“Shumë mirë tash, i butë për merak, kah po dojmë po e çojmë”, thotë Gërbaci.

Pos qytetarëve të Gjilanit, në këtë repart trajtohen edhe pacientë nga Komuna e Vitisë dhe Kamenicës.

Të ngjashme