Spiunazh turk në Gjermani

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 09:24 | Nga Fabian von der Mark

Shërbimet sekrete dhe shoqatat turke spiunojnë dhe u bëjnë presion qytetarëve, që konsiderohen korrekt në Gjermani. Kësaj duhet t’i jepet fund dhe shteti gjerman duhet të reagojë prerazi, mendon Fabian von der Mark.

Nëse gjithçka do të bëhej sipas përfytyrimeve të presidentit turk Erdogan, atëherë Gjermania do të lipsej që të vepronte në këtë mënyrë: Shefi i BND-së (Shërbimi Federal Informativ) duhej të kishte marrë një listë prej homologut të tij turk. E në bazë të saj do të duhej që shërbimet gjermane të përndiqnin e ndëshkonin 300 nënshtetas turq – kuptohet në bashkëpunim të ngushtë me mandatuesit turq.

Simpatizanët e Gülen-it nuk konsiderohen këtu si terroristë

Vetëm se: Akuza, që njerëzit kanë mbështetur lëvizjen e predikuesit Fethullah Gülen, nuk ekziston në Gjermani. Lëvizja e Gülenit në Gjermani si dhe në mbarë BE-në nuk klasifikohet si shoqatë terroriste. Ndoshta turqve nuk u pëlqen kjo, por autoritetet gjermane pas një verifikimi kanë arritur në konkluzionin se simpatizantët e Gülenit nuk paraqesin rrezik.

Problemi i dytë: Mënyra se si shërbimi i brendshëm sekret i Turqisë MIT (Millî İstihbarat Teşkilâtı) i ka marrë informacionet, përbën shkelje të të drejtave themelore të njerëzve, që jetojnë në Gjermani – pavarësisht se çfarë nënshtetësie ata kanë. Spiunët turq, që përgjojnë me aparate fotografike, i përkasin kategorisë së dytë të filmave me agjentë, por ata nuk kanë vend në rrugët e Gjermanisë.

Gjermania tani për fat ka bërë të kundërtën e asaj, që pret Ankaraja: ajo i ka paralajmëruar qytetarët turq, se janë në shënjestër prej atdheut të tyre. Kjo është më e pakta, që mund të bënte spontanisht shteti gjerman. Njëkohësisht Gjermania duhet t’i kundërvihet me të gjithë forcën krijimit të një sistemi spiunësh në Gjermani, siç e dëshiron presidenti Erdogan. E me këtë nuk bëhet fjalë vetëm për aktivitetet e shërbimit zyrtar sekret turk MIT.

A mundet Ditib të jetë edhe një partner shtetëror?

Nëse shoqata e xhamive Ditib keqpërdoret, për të mbledhur informacione mbi simpatizantët e Gülenit nën mandatin e autoritetit turk të religjonit Diyanet, atëherë shteti duhet të veprojë. Nëse vërtetohet, që nën mantelin e Ditib kryhet spiunazh për Erdoganin, atëherë unioni turko-islamik nuk mund të jetë partner bisedimesh për autoritete gjermane, por duhet të shpërbëhet.

Turqia duhet ta kuptojë: Nëse një gazetar gjerman mbahet në burg pa proces gjyqësor, kjo është e padrejtë. Nëse Turqia spiunon qytetarët, që sipas së drejtës gjermane janë të pafajshëm, kjo është e padrejtë. Nëse Turqia kërkon ekstradimin e të pandehurve si terroristë pa dëshmi mbi aktivitetin e tyre terrorist, kjo është e padrejtë. Një vend, që është anëtar në NATO, do të hyjë në BE dhe do të mbajë marrëdhënie funksionuese me Gjermaninë, nuk duhet të përçajë, të shpifë dhe ç’është më e rëndësishmja: duhet të pranojë shtetin ligjor.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme