Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) ka reaguar lidhur me rastin e fundit të trajtuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), duke theksuar se çdo lajmërim i rremë ndaj zyrtarëve policorë duhet të ndëshkohet sipas ligjit.
Në komunikatën e saj, SPK ka përgëzuar punën profesionale të IPK-së në rastin ku një qytetar kishte raportuar rrejshëm se ishte keqtrajtuar nga zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, në afërsi të Urës së Bistricës në Leposaviq, më 13 janar 2026.
“Pas pranimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe zhvillimit të hetimeve përkatëse, IPK ka konstatuar se pretendimet e ankuesit nuk kishin bazë faktike dhe ligjore”, thuhet në komunikatë.
Sipas Sindikatës, hetimet kanë vërtetuar se qytetari ka dezinformuar institucionet dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal për veprën penale të lajmërimit të rremë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës është e bindur se, nëse IPK vazhdon punën në mënyrë profesionale dhe ndaj çdo lajmërimi të rremë ngrihet kallëzim penal kundër personave përgjegjës, do të kemi shumë më pak raste të tilla në të ardhmen”, thekson SPK.
Po ashtu, Sindikata vlerëson se një qasje e tillë rrit ndjenjën e sigurisë te zyrtarët policorë. “Punonjësit e Policisë së Kosovës nuk do të ndihen të pambrojtur dhe do të kenë më shumë besim në punën e IPK-së”, thuhet më tej.
Në fund, SPK konsideron se kjo qasje e IPK-së është e domosdoshme si mburojë për çdo zyrtar policor dhe se ajo kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e besimit në institucionet mbikëqyrëse të vendit.