IHF: Spanjës i merret kampionati nëse nuk respektohen simbolet e Kosovës

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Federate Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF), ka reaguar me rastin e mosrespektimit të simboleve të Kosovës nga ana e Spanjës në organizimin e Kampionatit Botëror.

IHF me rastin e pranimit të një ankese nga Federata e Hendbollit të Kosovës, ka reaguar ndaj këtij gjesti josportiv të organizatorëve.

Me këtë rast Federata Ndërkombëtare bën me dije se nëse Spanja nuk respekton simbolet e Kosovës, atëherë do t’i merret e drejta për organizimin tutje të këtij kampionati.

“Dëshirojmë t’iu informojmë që IHF-ja është në kontakt të afërt me Federatën e Hendbollit të Spanjës dhe me Komitetin Olimpik të Spanjës. IHF-ja qartë i ka komunikuar Federatës së Hendbollit të Spanjës dhe Komitetit Olimpik të Spanjës që flamuri juaj kombëtar duhet të shfaqet dhe himni juaj kombëtar duhet të intonohet gjatë Kampionatit Botëror të Juniorëve 2019”, njofton Federata e Hendbollit të Kosovës.

IHF-ja ka dhënë afat deri në fillim të qershorit për organizatorin të sigurojë kushtet e përmendura.

Në të kundërtën, Kampionati Botëror i Juniorëvë do t’i ipet një federate tjetër nacionale. Natyrisht do t’iu informojmë për të rejat”, thuhet në letrën e IHF-së.

Të ngjashme