Moggi te Partizani habit mediet italiane

Tiranë | 27 Pri 2017 | 20:50 | Nga

Në mediet italiane ka bërë shumë bujë afrimi i ish-drejtuesit të Juventusit, Luçiano Moxhi, te Partizani. “Gazzetta dello Sport” shkruan se Moxhi ia rifillon nga Shqipëria si këshilltar i Partizanit të Tiranës.

Gazeta e njohur në faqen online shkruan gjithashtu se Moxhi është dënuar përjetë nga futbolli italian pas skandalit të Kaçopolit. “Tuttosport” shkruan se Luçiano Moxhi do të jetë këshilltari i ri i Partizanit të Tiranës. Edhe “Corriere dello Sport” nuk i kursen notat e ironisë me titullin: “80-vjeçari Moxhi ia fillon sërish nga Shqipëria”.

Por jo të gjithë kanë reaguar pozitivisht ndaj këtij lajmi. Gazetari i njohur italian i rrjetit “Mediaset”, Mauricio Pistoki, nuk ka kursyer ironinë pas publikimit të këtij lajmi me një mesazh të qartë në Twitter.

“Në vitin 1991, në 6 muaj, 47000 shqiptarë zbarkuan në Itali në kërkim të një shprese. 26 vite më vonë, ne iu dërguam Luçiano Moxhin. Pa asnjë shpresë”, – ishte mesazhi i qartë i tij. Pistoki ka qenë gjithmonë një kritik i Moxhit dhe ndër zërat që kanë kundërshtuar vazhdimisht pretendimet e ish-drejtuesit të Juventusit se e meritonte të kthehej në futbollin aktiv.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme