Trajneri i Malit të Zi përgëzon Kosovën: Fitore e merituar

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Malit të Zi, Faruk Hadzibegic, ia uroi Kosovën fitoren e mbrëmshme, duke thënë se “Dardanët” i merituan tri pikët e ndeshjes, mirëpo duke shtuar se skuadra e tij e ka cilësinë e nevojshme për të dalë nga kriza.

Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen verën e vitit të ardhshëm.

Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshje, përmes Amir Rrrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.

Megjithatë, statistikat e ndeshjes tregojnë për një dominim edhe më të madh të Kosovës. “Dardanët” i krijuan katër raste shumë të mira për të shënuar, përderisa malaziasit asnjë.

“E përgëzoj Kosovën për fitoren e merituar. Është një skuadër e mirë. Ata e përdorën me aftësi freskinë e tyre, edhe mentalisht e edhe fizikisht. Mendoj se ne u ndihmuan atyre ta kontrollojnë ndeshjen”, u shpreh Hadzibegic.

“Kjo mund të jetë ndeshja jonë më e mirë. Megjithatë, ne luajmë në një situatë të tillë – kur nuk shkon diçka, nuk shkon. Në aspektin psikologjik, jemi në një moment të vështirë. Jam i lumtur që luajtëm më mirë në pjesën e dytë sesa në të parën. Kjo e dëshmon se ne e kemi cilësinë për të dalë nga kriza”.

Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Kosovën e presin dy ndeshje të vështira në muajin nëntor – ajo kundër Çekisë si mysafire dhe pastaj në “Fadil Vokrri” kundër Anglisë. Këto do të jenë dy ndeshjet e fundit të Grupit A.

Por, edhe nëse Kosova s’arrin të radhitet në dy vendet e para të Grupit A, ajo e ka një mundësi tjetër për t’u kualifikuar – përmes play-offs kualifikues. Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale e pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme