Pasi UEFA e kishte bërë të qartë se drejtues politikë nuk mund të jenë edhe drejtues në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), më 11 tetor të vitit të kaluar në lokalet e Federatës më të madhe sportive në vend u mbajt një konferencë, që mbetet e vetmja e atij lloji.
Dy deputetë të asaj kohe, Bekim Haxhiu dhe Murat Hoxha, kishin futur në mes kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri, për të dhënë lajmin se po largoheshin vullnetarisht nga postet që mbanin në Federatën e Futbollit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, po hiqte dorë nga posti i nënkryetarit të FFK-së, ndërsa Hoxha nga posti i anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Ata zgjodhën politikën para sportit, por vetëm pasi pranimi i FFK-së në FIFA e UEFA nuk ua lejonte që të mbanin njëkohësisht poste në politikë dhe në futboll. Qëndrimi i tyre i mëtejmë në Federatë do të mundë t’i hapte telashe FFK-së me FIFA-n dhe UEFA-n, kështu që Haxhiu e Hoxha dhanë dorëheqjet.
Kushtëzimi nga asociacionet ndërkombëtare ishte e vetmja mundësi për të larguar njerëzit e politikës nga sporti i Kosovës. Por lidhja e politikës me sportin vlerësohet të jetë ende shumë e fortë. Politikanët në të kaluarën, por edhe sot, e shohin sportin si mundësi të mirë për promovim personal. Por edhe një pjesë e komunitetit sportiv, duket të ketë përfituar në llogari të përkrahjes që ka pasur nga politika…