Ekipi i boksierëve të Kosovës nuk është lejuar për herë të tretë të hyjë në Serbi.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi.
Dje, ekipi i boksit u ndaluar dy herë në kufirin e Serbisë. Në herën e dytë, delegacioni i boksit tentoi të hynte pa simbole shtetërore por përsëri u ndaluan.
Kampionati botëror i boksit amator do të filloj sot por rrezikon që të anulohet. Shqipëria është tërhequr nga kampionati pasi Kosovës nuk po i lejohet hyrja.
Në lidhje me këtë, mbrëmë reagoi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, ku dërgoi një ankesë tek MKRS e Serbisë që të lejoi të hynë sportistët kosovarë.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar që për të tretën herë ekipi i boksit të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi. Sipas KOK-ut policia serbe morri urdhër nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen e ekipit që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që nis sonte në Beograd.
“Ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhrin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi.” shkruante në një postim në Facebook të KOK-ut.
Tutje thuhej se e dënojnë veprimin e Qeverisë së Serbisë dhe se do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e organet tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë.
“Ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, këtë herë pas insistimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-s, me të cilët drejtuesit e KOK-it, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm.”