Inspektorati i Punës ka denuar Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) me 4900 euro gjobë, si dhe drejtorin gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj me 500 euro për shkak të shkeljes së ligjit të punës dhe rregulloreve të RTK-së me rastin e degradimit të Udhëheqësit të departamentit të Marketingut, për moszbatim të vendimit të IP-së si dhe për mospërfilljen e zbatimit të dispozitave të ligjit të punës.
Kjo është gjoba e dytë brenda një muaji që i shqiptohet RTK-së nga Inspektorati i Punës, që në total kap shifrën 8400 euro.
Në vendimin e Inspektoratit të Punës thuhet se ankesa eventuale nuk e shtynë ekzekutimin. RTK obligohet që gjobën e shqiptuar në lartësi prej 4900 euro ta paguaj në afat prej tetë ditësh nga dita e pranimit të Vendimit.
Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për përgjegjësinë direkte të mos ekzekutimit të Vendimit i shqiptohet gjobë në lartësinë prej 500 euro, dhe i njejti obligohet që në afat prej tetë ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, ta paguajë atë.
Sipas Inspektoratit të Punës. RTK është e obliguar që një kopje të fletpagesës t’ia prezentojë IP-së në afat prej tre ditësh nga dita e skadimit të afatit prej tetë ditësh të cekur më lartë.
SPRTK kërkon nga Bordi i RTK-së si dhe nga Kuvendi i Kosovës që të reagojnë me urgjencë për shkak se nëse vazhdohet me këtë trend të paligjshmërive dhe gjobave, funksionimi i Transmetuesit Publik do të rrezikohet seriozisht.