SPRTK: Moskthimi në punë i Halilit, përpjekje për të frikësuar kritikët

Prishtinë | 21 Nën 2016 | 18:12 | Nga

Sindikata e Pavarur e RTK-së, përmes një komunikate për media ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Menaxhmentit për moskthimin në vendin e tij të punës të Redaktorit të Lajmeve, njëherësh nënkryetarit të Sindikatës dhe anëtarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Arsim Halili.

“Degradimi për pesë shkallë në pozitë dhe dënimi me gjashtë muaj largim nga puna, duke shkelur procedurat dhe ligjet në fuqi, tregon për motivin hakmarrës të Menaxhmentit ndaj udhëheqësve sindikalë, me qëllimin final ndërprerjen e aktiviteteve të Sindikatës së Pavarur. Me këtë veprim, ky Menaxhment po tregohet mospërfillës ndaj kërkesës së rreth 300 kolegëve, përfshirë shumicën e gazetarëve dhe redaktorëve, të cilët përmes një peticioni kërkuan kthimin e redaktorit, Arsim Halili në vendin e tij të punës”, thuhet në reagimin e SPRTK-së.

Në reagim, SPRTK thotë po ashtu se “përmes këtij veprimi, Menaxhmenti po tenton t’i frikësojë të punësuarit e RTK-së, për pasojat që do t’i bartin, nëse sinjalizojnë për keqmenaxhimin dhe parregullsitë në RTK”.

“Ky Menaxhment po tregohet mospërfillës edhe ndaj konkluzës së Bordit të Drejtorëve i cili me unanimitet të plotë konstatoi se për rastin e z. Halili janë përdorur standarde të dyfishta duke e dënuar për shkak të një statusi në profilin e tij privat, të thënë me sarkazëm lidhur me zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave. Sindikata e Pavarur e RTK-së posedon dëshmi kur vetë drejtuesit e RTK-së, shprehin qëndrimet e tyre personale në rrjetet sociale dhe ndaj tyre asnjëherë nuk janë shqiptuar masa ndëshkuese”, thuhet në njoftim.

SPRTK kërkon nga Menaxhmenti që Halili t’i mundësohet vazhdimi i përgjegjësive profesionale, si Redaktor i Lajmeve.
“Redaktori, Halili për tash e njëmbëdhjetë vjet sa është në RTK, është shquar për profesionalizëm dhe përkushtim në detyrat e tij të punës. Ju rikujtojmë se në vitin e kaluar pikërisht në kohën kur Sindikata kishte ngritur alarmin për degradimin që po e pëson RTK, si pasojë e keqmenaxhimt, Drejtori Gjeneral, Mentor Shala kishte nxjerrë një vendim për largimin nga puna të Kryetarit dhe Nënkryetarit të Sindikatës së Pavarur”, thuhet në reagim. “Ky vendim skandaloz dhe i paprecedent në botën demokratike u kundërshtua ashpër nga faktori vendor dhe ndërkombëtar, me çrast detyroi drejtorin Shala ta anulojë vendimin”.

Lidhur me këtë situatë e cila ishte përcjell me protesta nga të punësuarit e RTK-së, kishte reaguar edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Lunacek dhe Komisioneri Evropian për zgjerim Johannes Hann. Gjithashtu kjo ngjarje ishte përfshirë edhe në Raportin e Progresit për Kosovën të vitit 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme