Stadiumi “Fadil Vokrri” gjatë gjithë ditës së hënë është “testuar” nga inspektorët e UEFA-s, kanë njoftuar zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Për të hënën ishte paraparë edhe një ndeshje mes veteranëve të Prishtinë dhe Vlorës, sa për të testuar stadiumin e rinovuar, por ajo nuk është luajtur, shkruan sot “Koha Ditore”. Në fakt, e njëjta ishte paraparë edhe për datën 28 korrik, por për shkak të zisë kombëtare për vdekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, u shty.
Gjithsesi, të hënën stadiumi iu nënshtrua gjatë tërë ditës inspektimit. Zyrtarët e UEFA-s nisën punën në mëngjes dhe e mbaruan në mbrëmje, kur i testuan reflektorët. Në bazë të raportit të tyre, UEFA do të vendosë të japë ose jo leje për zhvillimin e ndeshjes së Superkupës ndërmjet Dritës e Prishtinës, më 13 gusht. Nëse e jep lejen, atëherë kjo do të ishte ndeshje edhe testuese për stadiumin që u rinovua për më shumë se dy vjet dhe kushtoi rreth 9 milionë euro, para të ndara kryesisht nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Inspektorët e UEFA-s do t’i inspektojnë të gjitha pajijset e vendosura në stadium dhe nëse gjithçka është në rregull, atëherë do ta japin lejen për një ndeshje testuese që pritet të jetë ajo e Superkupës”, ka thënë kreu i FFK-së, Agim Ademi.