Stafi mjekësor në Emergjencën primare që funksionon në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, po kërkojnë shkarkimin e drejtorit të QKMF-së ,Agim Krasniqi, me arsyetimin se po u bën presion mjekëve, infermierëve dhe stafit teknik gjatë kryerjes së punës.
Gjithashtu, stafi i Emergjencës kanë akuzuar edhe kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti, me arsyetimin se familjarët e tij pa të drejtë është kërkuar të trajtohen nëpër dhoma të veçanta në këtë emergjencë, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas stafit mjekësor, një rast i tillë ka ndodhur në fund të javës së kaluar derisa po trajtohej një familjar i kryetarit Ahmeti, ndërkohë drejtori i QKMF-së, Agim Krasniqi, e ka futur atë pacient në dhomën e mjekut, e cila nuk është e dedikuar për trajtime të tilla.
Ndërkohë ky veprim është kundërshtuar nga stafi i mjekëve, derisa është dashur të intervenojnë edhe Policia e Kosovës së bashku me kryetarin e Komunës, Imri Ahmeti.