Objekti i ri, paralele e ndarë e shkollës fillore “Mihail Grameno”, në Fushë Kosovë, ka mbetur në fazën fillestare.
Fillimin e punimeve e patën kundërshtuar banorët e lagjes “Dardania”, afër “Kompleksit 300”, me arsyetimin se objekti gjendet shumë pranë ndërtesave, raporton KTV.
Madje, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit pati urdhëruar ndërprerjen e punimeve, me arsyetimin se komuna nuk ka leje për ndërtim.
Por, kjo, sipas Ali Topallit, nuk është arsyeja që objekti nuk është përfunduar, pasi sipas tij, komuna e ka lejen përkatëse.
Ai thotë se po presin donacion për ta përfunduar objektin.
Ndërkohë, objekti i vjetër i shkollës “Mihail Grameno” çdo ditë e më shumë po mbipopullohet nga nxënësit.
Menaxhmenti po synon të rrisë numrin e paraleleve, pasi në të kundërtën në një klasë, numri i nxënësve mund të arrijë në 60.
Mësimdhënësve po u del telashe ta zhvillojnë procesin mësimor në këto kushte.
Nga komuna thonë se kanë bërë plan, që nxënësit e klasave 7, 8 dhe 9 të transferohen në një shkollë të afërt derisa të përfundojë objekti i ri.
Objekti i ri i shkollës, sipas planit, është 600 metra katrorë me gjithsej 17 klasë mësimi.