Në janarin e vitit 2011, me votat e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, arriti të votohej raporti që më vonë çoi deri në krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën.
Raporti i ish-prokurorit zviceran, Dick Marty, përfshinte akuzat se UÇK-ja kishte kryer krime, deri në trafikim organeve.
Asambleja e Këshillit të Evropës kishte nisur procedurat duke krijuar një task-forcë hetimore, ku përgjegjësia iu dha EULEX-it.
Megjithatë, raporte të tilla kjo Asamble kishte miratuar edhe më parë madje hartuar po nga Dick Marty. Por për dallim nga Kosova, hetime të ngjashme nuk pati kurrë.
Senatori zviceran kishte evidentuar shkelje të të drejtave të çeçenëve nga Rusia, përfshirë vrasje, zhdukje e tortura. Madje raportin e votuan edhe deputetët rusë në Asamble, por zbatimi i tij në praktikë asnjëherë nuk u realizua.
Kjo vërtetohet me letrën që në vitin 2010, organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ia dërgoi Këshillit të Evropës.
“Fatkeqësisht, pas miratimit të rezolutës, situata e të drejtave të njeriut në rajon nuk është përmirësuar dhe nuk ka pasur hetime konkrete. Është thelbësore që vrulli i krijuar nga raporti i Dick Marty të mos humbasë dhe të zbatohet në praktikë, thuhej në letrën e organizatës.
Këshilli i Evropës vazhdoi të merrej me shkeljet në zonën që udhëhiqet nga pushteti rus. Në raportin e vitit 2017 të senatorit Michael NcNamara, vërtetohej se krimet atje nuk po hetoheshin, siç ishte kërkuar.
“Njësitet e posaçme hetimore të krijuara për të shqyrtuar rastet ku Gjykata kishte dështuar në hetime, kanë dhënë fare pak rezultate”, shkruhej në raportin tjetër të vitit 2017.
Për këto standard të dyfishta, RTK pyeti edhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.