Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka diskutuar sot rreth standardizimit të produkteve vendore, shpërndarjes dhe shitjes së standardeve.
Dardan Abazi nga INDEP tha se standardizimi është ndër elementet kryesore të tërësisë së mekanizmave shtetëror për të siguruar infrastrukturën e cilësisë, raporton Ekonomia Online.
“Projekti ka synuar me propozu politika që fuqizojnë kornizën institucionale dhe të ofrojnë bizneseve materiale që do të promovonin standardizimin e produkteve dhe rritjen e cilësisë së produktit”, tha Abazi.
Ai tha se me rritjen e kualitetit të produkteve të prodhimit vendor do të arrihet që më shumë të kemi eksport që këtë e parasheh edhe MSA-ja.
“Vetëm duke rritur kualitetin e produkteve vendore ne do të arrijmë të mirat që i sjellë MSA-ja”, u shpreh ai.
Hafiz Gara, drejtor i Agjencisë Kosovare të Standardizimit tha se standardizimi i produkteve vendore është parakusht për mbërritjen e tregjeve evropiane dhe fuqizimin e prodhimit vendor.
“Standardizimi u sjellë më shumë qytetarëve siguri, jetë të sigurt dhe jetë kualitative”, tha Gara.
Ai tregoi se edhe web faqja e kësaj agjencive është në dispozicion për qytetarët, ku është i shfaqur katalogu i standardeve.
“Në web shkarkohet katalogu i standardeve me shifrat që duhet punuar me to dhe mund të porositet në çfarë do forme të përgatitet dhe të jetë i gatshëm për palën që do e marr, shitjet elektronike do bëhet kur edhe ne të kemi me shumë qasje të financave, shërbimi elektronik kryhet në shumicën e kohës që të shkarkoj nga shtëpia e tij blerësi”, tha Gara.