Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se në këtë moment BE-ja nuk mund të ketë një raund të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk kemi asgjë në bazë të së cilës do të mund të shpallnim një dialog të mundshëm të nivelit të lartë”, tha ai, duke iu referuar deklaratës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se pret një ftesë në Bruksel këto ditë dhe se shpreson në një zgjidhje për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë.
Ndërkaq dy ditë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar se stabiliteti i qëndrueshëm dhe paqja në rajon mund të arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto komente, i ka bërë pas takimeve të ndara që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Mynih të Gjermanisë, në margjinat e Konferencës së Sigurisë.
“Rruga drejt kësaj çon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, pati shkruar Borrell në platformën X (ish-Twitter), derisa ka ndarë pamje nga takimet që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiç-in.
Ndërsa, kryeministri Kurti, në takim me Borrell-in dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel 27 shkurt, Ohër, 18 mars) dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.
“Kryeministri kërkoi heqjen e masave kufizuese të padrejta të vendosura nga Bashkimi Evropian”.
Përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit është thënë se sipas Kurtit nënshkrimi marrëveshjeve është bërë i nevojshëm për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia.
Nga ana tjetër, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, Vuçiç ka njoftuar se tema kryesore e takimit mes tij dhe ndërmjetësuesve të procesit të dialogut ka qenë pikërisht Kosova dhe, sipas tij, “përpjeka e Kurtit për të kryer në heshtje spastrim etnik të serbëve”.