Stano: Përfshirja e Komisionit të Venecias s’është paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 e 2015

Prishtinë | 08 Qer 2024 | 09:53 | Nga Flutura Sogonjeva

Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se emisari Miroslav Lajçak duhet ta çojë draftin për Asociacionin në Komisionin e Venecias, ndërkaq ai vetë, në Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Ekonomia Online, është shprehur se përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

“Përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. BE-ja dhe QUINT-i e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin dhe pritjet e tyre për hapin e ardhshëm që Kosova duhet të ndërmarrë në procesin e zbatimit të dy Marrëveshjeve të Brukselit (2013 dhe 2015) në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, përkatësisht referimin e Draft Statuti Evropian në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe për Gjykatën Kushtetuese që ta shpallë kërkesën të pranueshme”, ka thënë Stano.

Tutje, ai është shprehur se i takon Kosovës të kërkojë këshilla ligjore nga Komisioni i Venecias.

“Draft Statuti Evropian u shkrua nga ekipi i EUSR-së së bashku me ekspertë të njohur ligjorë ndërkombëtarë, si dhe ekspertë nga Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja, pasi palët nuk ishin në gjendje të angazhoheshin vetë në një proces hartimi. Pas prezantimit të draftit evropian kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në tetor 2023, Kosova duhet të ndërmarrë hapat e ardhshëm në përputhje me Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, siç u theksua më lart. I takon Kosovës si palë në Komisionin e Venecias që të kërkojë këshilla juridike për projektligjet ose legjislacionin tashmë në fuqi, duke përfshirë edhe Projekt Statutin Evropian. Ne presim që Kosova të veprojë për këtë me shpejtësi dhe të ndalojë shtyrjen e mëtejshme të dorëzimit për detyrimin e saj.”, ka thënë tutje Stano.

Të ngjashme