Është koha të flitet për Kepa Arrizabalagan. Përkundër të gjitha shenjave pozitive në fillim të stinorit, pas ardhjes së Frank Lampardit në postin e kryetrajnerit të Chelseat, portieri për të cilin është paguar shifër rekorde – 80 milionë euro, vazhdon të jetë arsye për brengë.
Statistikat janë të tmerrshme. Nga të gjithë portierët që kanë luajtur mbi 1000 minuta në Premier League këtë stinor, Kepa gjendet në vend të fundit sa i përket përqindjes së përgjithshme të gjuajtjeve të pritura, shkruan sot Koha Ditore.
Përqindja e pritjeve të tij është 55.56, ndërsa portieri i Evertonit, Jordan Pickford, që është në vendin e 19-të ka 63.54 për qind.
Përqindja e tij e pritjeve nga gjuajtjet nga zona është 50 dhe Nick Pope i Burnleyt zë vendin e 19-të, me 57.89.
Por ndoshta treguesi më i madh nga të gjithë është se asnjë skuadër nuk ka pranuar numër më të madh të golave krahasuar me numrin e gjuajtjeve me të cilat është përballur, sesa Chelsea, që kur Premier League ka nisur të mbledhë të dhënat, më 2003.
Ndikimi i portierit në një skuadër kurrë nuk bën të nënvlerësohet. Duhet shikuar vetëm se si Alisson ka transferuar Liverpoolin dhe si Ederson ka rregulluar lojën e Manchester Cityt. Tifozëve të Chelseat nuk është nevoja t’iu tregohet kjo, pasi ata dikur kishin një nga portierët më të mirë në histori, çekun Petr Cech.