Zëvendësministrja për Integrim Evropian, Anila Statovci-Demaj, ka zhvilluar sot një takim me delegacionin nga Kroacia të kryesuar nga Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.
Gjatë takimit zëvendësministrja, Statovci-Demaj, diskutoi për çështje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), avancimin, sikurse edhe sfidat rreth implementimit të MSA-së.
”Kroacia ishte vendi i parë te i cili u aplikua instrumenti i MSA-së dhe vendi i parë i cili përmbylli suksesshëm implementimin deri në anëtarësim në BE. Prandaj përvoja kroate është një shembull jashtëzakonisht i vlefshëm për Kosovën. Në këtë proces vetëm se janë krijuar marrëdhënie të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe rekomadnimet për implementim dhe menaxhim sa më të suksesshëm të MSA-së mund të vijnë nga Kroacia mike për të shërbyer si udhërrëfyes gjatë këtij procesi”, tha ajo.
Zëvendësministrja Statovci-Demaj falënderoi Ambasadoren Kapitanoviq për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar Kroacia për Kosovën, në veçanti në procesin e Integrimit Evropian.
Nga ana tjetër, delegacioni kroat njëzëri shprehu gatishmërinë për avancim të bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive tona për çështje të integrimit evropian, respektivisht rritjen e nivelit të përkrahjes për MSA-në.
Pjesë e delegacionit kroat ishin edhe këshilltarja e kryeministrit të Kroacisë, Dubravka Vlasiq-Plese dhe sekretarit të Dytë të Ambasadës së Kroacisë, Zlatko Vnuqec.