Zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) për raportin BE-Kosovë dhe agjendën evropiane të Kosovës.
Zëvendësministrja Statovci, duke folur për demarkacionin me Malin e Zi, ka thënë se Kosova duhet të ketë kujdes kur negocion marrëveshje me Bashkimin Evropian, sepse sipas saj rinegociimi i marrëveshjeve me BE-në është proces i pamundur.
“Kosova duhet të ketë vëmendje të madhe në momentet kur negociohen marrëveshjet në BE, sepse kjo varet shumë se sa tregohemi serioz në rrugën tonë evropiane. BE-ja harxhon kohë resurse të shumta për këto negociata dhe është shumë e vështirë të rinegociohen këto marrëveshje.
Ajo ka thënë se për demarkacionin ka pasur një komision i cili e ka definuar vijën kufitare dhe ka pasur gjithashtu një vlerësim të jashtëm që kanë konfirmuar se ajo vi është e duhur.
Ndërsa ka shtuar se demarkacioni mbetet kushti i vetëm për liberalizimin e vizave.
“Përderisa ka qenë një kriter për Malin e Zi automatikisht është bërë kriter edhe për Kosovën. Nuk ka asnjë dëshmi të shkruar ku thotë se kjo pjesë humbet të paktën nuk na u është prezantuar”.
Duke folur për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, Statovci tha se agjenda evropiane është një ndër agjendat më të rëndësishme që ka Kosova gjatë rrugëtimit të saj si shtet dhe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës procesi i integrimit të saj në BE ka pasur një dinamikë të zhvillimit.
Një ndër të arriturat kryesor gjatë procesit të Kosovës drejt integrimit në BE cilësohet marrëveshja e parë kontraktuale që ka nënshkruar vendi me Bashkimin Evropian që është Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.
Statovci tha se MSA-ja shënon një momentum shumë të rëndësishëm sepse është dokumenti i parë në mes të BE-së dhe Kosovës.
Ajo ka thënë se edhe pse në BE ka shtete që nuk e kanë njohur Kosovën ka treguar vendosmëri që ta qojë Kosovën përpara.
“Agjenda evropiane e Kosovës është një ndër agjendat më të qensishme që ka Kosova dhe do të ketë në të ardhmen. Në prill të vitit 2015 Komisioni Evropian ka lëshuar një komunikatë për të ardhmen e Evropës ku shkruante e ardhmja evropiane e Kosovës dhe këtu ka filluar rrugëtimi i Kosovës drejt BE”, ka thënë ajo.
Ajo tha se Integrimi evropian kërkon mund dhe vlerë dhe për këtë Kosovës i duhet kohë.
“Në rastin e Estonisë që është një shtet i vogël sikur ne dhe vjen prej një të kaluare sikur tonën dhe sot ka arritur staza shumë të larta të zhvillimit ku është edhe anëtare e BE. Kjo për ne duhet të jetë edhe më e lehtë sepse ekzistojnë modele që ne mund t’i marrim dhe t’i praktikojmë për nevojat tona”, ka thënë ajo.