Statovci: Me politikat e Vjosa Osmanit, marrëdhëniet e Kosovës me shtetet mike janë fuqizuar

Prishtinë | 04 Pri 2023 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Në dy vjetorin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit si presidente, deputetja e Listës Guxo Jeta Statovci, konsideron se Kosova ka ecur përpara me të. Statovci ka përmendur këto dy vite në krye të shtetit, duke thënë se ndihet krenare që ka votuar pro zgjedhjes si presidente.

Sipas Statovcit, marrëdhëniet e Kosovës me shtetet mike janë fuqizuar shkaku i presidentes Osmani, ndërsa e ka cilësuar si transparente në nivel institucional.

“Në dy vjetorin e Presidentes Vjosa Osmani, Kosova 🇽🇰 gëzon udhëheqjen nga një grua e fuqishme e parimore, e përcaktuar për konsistencë dhe dinjitet, e pa trembur kurrë nga asnjë fenomen në politikë. Kam pasur nderin dhe kënaqësinë, që jo vetëm ta votoj në cilësinë e deputetes, por edhe të bashkëpunoj me të, në shërbim të kauzës për demokratizimin e shoqërisë tonë, forcimin e shtetit të Kosovës, kthimin e dinjitetit dhe vlerave në politikë”, ka shkruar Statovci.

“Presidentja Osmani gëzon besueshmërinë më të lartë që ka një lidere, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, cilësuar me kënaqshmëri dhe transparence të lartë institucionale. Me politikat e saj të vendosura për parime demokratike, ajo ka arritur të fuqizoj si kurrë më parë, marrëdhëniet e Kosovës me shtetet mike në tërë botën. Presidentja ka ndihmuar fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës, ka garantuar vazhdimisht në kompetencat e saj që sistemi gjyqësor do të ecë drejt pavarësisë totale, dhe ka mbrojtur interesat e Kosovës në çdo tryezë brenda e jashtë vendit”, ka shkruar ndër të tjerash ajo.

Të ngjashme