Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci tha se Projektligji për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve ka për qëllim të përcaktojë kriteret e sigurisë të cilat duhet të përmbushin produktet që janë vënë në dispozicion të tregut, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, me këtë projektligj do të sigurohet vendosja në treg të produkteve ekskluzivisht të sigurta dhe do të parandalojë prodhimin, importim dhe vendosjen në treg të produkteve mashtruese, si dhe eksportin e tyre.
“Objektivat kyçe që duhet të arrijë miratimi i këtuj projektligji janë përafrimi me legjislacionin e BE-së, krijimi i bazës ligjore të mirëfilltë për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe mbikëqyrjen efektive të tregut. Baza për nxjerrjen e këtij projektligji derivon si obligim nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit”, tha Statovci.
“Me miratimin e këtij projektligji krijohet një bazë ligjore funksionale dhe lehtë të implementueshme për sigurinë e përgjithshme të produkteve duke siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve që përdorin produktet, si dhe përdoruesve të tjerë që i përdorin produktet për nevojat e tyre në kryerjen e veprimtarive të tyre profesionale. Do të sigurohet vendosja në treg të produkteve ekskluzivisht të sigurta dhe do të parandalojë prodhimin, importim dhe vendosjen në treg të produkteve mashtruese, si dhe eksportin e tyre. Është për tu theksuar se miratimi i këtij projektligji nuk parasheh implikime buxhetore shtesë nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, tha ajo.